Transmetuar më 13-03-2025, 12:30

Juventusi në krizë. Pas humbjes së rëndë 4-0 në shtëpi kundër Atalantës, ka nisur “gjyqi” ndaj Thiago Motta dhe gjithë skuadrës. Një pjesë e madhe e tifozëve kërkon largimin e ish-trajnerit të Bologna, i cili ka gabuar edhe në komunikim gjatë konferencës pas ndeshjes, duke minimizuar një humbje historike (Juventusi nuk kishte humbur 4-0 në shtëpi prej gati 60 vitesh), e cila shënoi fundin e garës për titullin.

Tani, një tjetër hap fals në Firence mund të jetë fundi i projektit të Mottës. Për të analizuar situatën e sezonit dhe vlerësuar trajnerin ka folur një ikonë e Juventusit, Gigi Buffon, ish-shok skuadre me Mottën në kombëtare, ashtu edhe te PSG.

Ish-portieri legjendar ka folur për fundin e sezonit dhe të ardhmen e Mottës: "Mungojnë edhe 10 ndeshje, ndoshta gjërat nuk po ecin siç do të donim, por duke qenë se ka ende 10 ndeshje për t’u luajtur, ia vlen të presim deri në fund të sezonit dhe të shohim nëse mund të ndodhë diçka e papritur. Shpresojmë në diçka pozitive, unë e uroj këtë".

Marrëdhënia mes tij dhe Mottës ka qenë gjithmonë e bazuar në respekt të ndërsjellë. Disa kohë më parë, Buffon kishte dalë hapur në mbrojtje të Mottës, duke thënë: "E kuptova që në Itali nuk kuptojnë asgjë nga futbolli, kur shkoja në kombëtare dhe kritikonin Thiago Mottën. Mendoja me vete: Këta nuk marrin vesh asgjë nga futbolli… Ai ishte një nga lojtarët më të fortë, me një peshë të jashtëzakonshme në lojë, dhe e kritikonin”.

Buffon foli gjithashtu për rolin e tij si shef delegacioni i Italisë, një detyrë që e emocionon: "Është diçka që më jep emocione të mëdha".

Ai shprehu vlerësimin për punën me Luciano Spalletti: "Të punosh me Spallettin është një fat i madh. Ai është një profesionist i jashtëzakonshëm, perfeksionist unik dhe një nga njerëzit më bujarë që kam njohur ndonjëherë në futboll. Guximi dhe bujaria janë dy cilësitë kryesore që kërkoj te një njeri".

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit