Transmetuar më 13-03-2025, 11:58

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbërritur sot në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, ku ndodhet i shtruar babai i tij në gjendje të rëndë shëndetësore.

Thaçi, i cili ndodhet në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020 për akuza të pretenduara për krime lufte nga Dhomat e Specializuara, ka marrë leje të posaçme për vizitë humanitare pas disa refuzimeve të mëparshme nga Gjykata Speciale.

Sapo ka mbërritur në spital, Thaçi është pritur me duartrokitje dhe brohoritje nga qytetarët, të cilët kanë thirrur “UÇK, UÇK”, duke shprehur mbështetjen e tyre për të, raporton noa.al.

Konfirmimi nga Gjykata Speciale

Lajmi për lejimin e vizitës u konfirmua nga Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara, Michael Doyle, i cili deklaroi për RTKlive:

“Për arsye detyruese humanitare, Trupi Gjykues dhe gjyqtari i procedurës paraprake kanë udhëzuar Sekretarin që të menaxhojë një vizitë paraburgimi në Kosovë për Hashim Thaçin, që të jetë me babanë e tij. I akuzuari mbetet në paraburgim nga Dhomat e Specializuara”.

Kthimi i Thaçit në Kosovë, edhe pse për një arsye humanitare, ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik, me mbështetësit e tij që e shohin këtë si një moment të rëndësishëm për të treguar solidaritetin me ish-udhëheqësin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Thaçi ndodhet nën përcjelljen e forcave të shumta të sigurisë, ndërsa vizita e tij në QKUK do të jetë e kufizuar dhe e monitoruar rreptësisht nga autoritetet përgjegjëse.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit