

Vrasje e emigrantes shqiptare në Selanik: 53-vjeçari theri me thikë bashkëshorten e tij – Dy vajzat e çiftit në gjendje shoku, po ndiqen nga psikologu
Selanik – Ndërsa në apartamentin ku jetonin prej pak kohësh po ndodhte gjëja më makabre e jetës së tyre, dy vajzat nuk ndodheshin aty. Për fat të mirë.
16-vjeçarja ndodhej në shkollë dhe policia shkoi atje për ta informuar për tragjedinë.
Oficerët e policisë që e informuan për ngjarjen përshkruajnë se ajo nuk mund ta besonte atë që po i thoshin dhe këmbënguli të shkonte në shtëpi për të parë nënën e saj.
Vajza nuk mund ta besonte atë që dëgjoi dhe kërkonte të shkonte në shtëpi për të parë nënën e saj, pohoi zyrtari policor.
Shoku ishte i madh edhe për vajzën tjetër, e cila së bashku me motrën e saj ndodhen tashmë nën kujdesin e një familjari dhe po ndiqen nga psikologu.
Çfarë ndodhi në Selanik
Një tjetër vrasje e një gruaje ndodhi të mërkurën (12/03), në Selanik dhe konkretisht në zonën e Sindos. Emigranti 53-vjeçar shqiptar theri me thikë gruan e tij dhe nënën e dy fëmijëve të tyre, ndërsa më pas u hodh nga ballkoni i apartamentit ku jetonin.
Siç u bë e ditur, 53-vjeçari pas vrasjes u hodh nga ballkoni i katit të dytë, duke pësuar lëndime të rënda. Ai ndërroi jetë gjatë transportit për në spital, pasi kur ambulanca mbërriti në spitalin "Papageorgiou", mjekët konstatuan vdekjen e tij.
Një fqinj e pa 53-vjeçarin të hidhej nga ballkoni i apartamentit të tij, i cili ndodhej në katin e dytë të pallatit që shikoni në foto dhe telefonoi numrin 100. Më pas, policia hyri në apartament dhe gjeti gruan të pajetë, me plagë të shumta nga goditjet me thikë.
Çifti me origjinë shqiptare, kishte dy vajza 21 dhe 16 vjeç, të cilat fatmirësisht nuk ndodheshin në shtëpi në momentin e vrasjes.
Autori kishte probleme psikologjike – Së fundmi ishte pushuar nga puna
Kryetari i komunitetit të Sindos, Vasiki Mela, e cilësoi rastin si një ngjarje të paprecedentë në zonë, duke u shprehur i tronditur.
"Është vërtet tronditëse dhe e dhimbshme ajo që ndodhi. Është ndryshe kur dëgjon për vrasje të grave në televizion. Këtë herë, fatkeqësisht, një grua u vra në zonën tonë. Nga sa më kujtohet, diçka e tillë nuk ka ndodhur më parë."
Sipas Melas, autori i vrasjes vuante nga probleme psikologjike dhe së fundmi ishte pushuar nga puna.
"Deri më tani nuk dimë më shumë. Nga sa kam dëgjuar nga fqinjët, çifti nuk kishte mosmarrëveshje apo zënka. Fatkeqësisht, kjo tragjedi ndodhi."
Gruaja kishte dalë në ballkon, e plagosur rëndë
Sipas TyposThes që citon noa.al, gruaja kishte dalë në ballkon, e plagosur dhe e mbuluar me gjak nga goditjet e burrit të saj, para se ai ta tërhiqte sërish brenda dhe ta vriste me një goditje përfundimtare.
53-vjeçari e ka goditur me thikë kuzhine disa herë. Gruaja ka humbur jetën nga hemorragjia e pakontrolluar.
Sipas informacioneve të thesstoday, 53-vjeçari i shkaktoi gruas plagë të shumta me thikë në bark dhe kraharor, ndërsa më pas u hodh nga ballkoni me kokën poshtë.
Në vendngjarje mbërriti një mjek ligjor, ndërsa policia ka rrethuar zonën dhe po kryen hetimet.
Viktima kërkonte punë – Fqinjët e tronditur
Një fqinj i çiftit deklaroi për voria.gr se nuk kishte dëgjuar asnjëherë zënka apo probleme mes tyre.
"Nuk dëgjuam asnjëherë britma, ishin njerëz punëtorë, shkonin në punë dhe ktheheshin në shtëpi. Kanë dy vajza dhe rrinin shpesh në ballkon. Ishin shumë të qetë."
Sipas fqinjëve, gruaja ishte në kërkim të një pune dhe kur një fabrikë në zonë e punësoi, ajo e falënderoi duke i qerasur fqinjët me byrekë.
Policia po heton motivin e vrasjes
Sipas enikos.gr, autori nuk kishte të shkuar për dhunë në familje. Policia po përpiqet të zbulojë çfarë e çoi 53-vjeçarin drejt këtij akti makabër.
Hetimi është më i vështirë pasi çifti nuk kishte dhënë kurrë shenja se kishte probleme, gjë që do të ndihmonte në zbardhjen e motiveve. Megjithatë, burime të tjera sugjerojnë se çifti kishte debatuar para vrasjes.
"Nuk ziheshin kurrë" – Vëllai i viktimës i tronditur
Vëllai i viktimës tha për Mega TV: "Kur dëgjova çfarë ndodhi, erdha menjëherë. Nuk dimë çfarë ka ndodhur. Nuk ziheshin kurrë, nuk kishin probleme. Edhe fqinjët thanë se sot nuk u dëgjua asnjë zhurmë. Nuk e di çfarë mund të ketë ndodhur në mendjen e tij. Vajza e vogël ishte në shkollë kur ndodhi krimi."
Policia vazhdon hetimet për të zbuluar arsyet pas tragjedisë së tmerrshme. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd