Transmetuar më 12-03-2025, 22:56

Kolegji i Posaçëm i Apelit (KPA) ka lënë në fuqi shkarkimin nga detyra të gjyqtares së Elbasanit, Enkeleda Kapedani.

Vendimi është marrë këtë të mërkurë me shumicë votash nga trupi gjykues i KPA-së i kryesuar nga Rezarta Schuetz, me relatore Natasha Mulajn dhe anëtarë Sokol Çomon, Albana Shtyllën dhe Mimoza Tasin

Enkeleda Kapedani u shkarkua nga detyra më 18 maj të vitit 2022 nga shkalla e parë e vettingut (Komisioni i Pavarur i Kualifikimit) për probleme në kriterin e pasurisë dhe u çmua se me veprimet e saj kishte cënuar besimin e publikut tek drejtësia.

Në vendimin e arsyetuar të Komisionit sqarohej se cënimi i besimit të publikut tek drejtësia është konkluduar bazuar në paraqitjen nga subjekti në mënyrë të pasaktë të marrëdhënies dhe transaksioneve të kryera nga bashkëjetuesi i saj me një shtetas të dënuar në Itali për krim të organizuar, nga i cili ka blerë një kamion për çmim disa herë më të lirë nga sa e ka shitur pak muaj më vonë, si dhe i ka dhënë një hua në vlerën 28 mijë euro.

Në vlerësimin tërësor të çështjes lidhur me cënimin e besimit të publikut, u përfshinë edhe regjistrimi i videove nga ana e gjyqtares Kapedani në ambjentet e punës, që më pas u publikuan në Tik Tok.

Po ashtu, shumica vlerësoi se Kapedani ka cënuar besimin e publikut edhe me depozitimin në Komision të deklaratave noteriale të denoncuesve të saj, të cilët kanë deklaruar se nuk i kanë kryer ata ankesat.

Enkeleda Kapedani u përball në KPK edhe me konstatimin se bashkëjetuesi i saj L.Q. ishte shpallur në kërkim policor, pasi kishte qëlluar me armë në ajër gjatë një konflikti pronësie.

Më 17 janar 2021, në bazë të një marrëveshje, Këshilli i Lartë Gjyqësor e pezulloi Kapedanin nga detyra për 6 muaj, për shkak të një procedimi disiplinor të hapur nga Inspektori i Lartë të Drejtësisë, pas publikimit në TikTok të disa videove të filmuara në zyrë dhe teksa drejtonte automjetin. Kapedani i ka cilësuar si gjë të gjykuar videot e Tik Tok.

Enkeleda Kapedani përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2014 dhe pas një periudhe stazhi në Tiranë, u emërua gjyqtare në Gjykatën e Elbasanit ku në vijim ushtroi edhe funksionin e nënkryetares.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit