Magazinë
Transmetuar më 12-03-2025, 17:25

Hekurudha Tiranë-Durrës: Shtyrje pas shtyrjeje, kostoja rritet dhe treni mbetet një ëndërr e parealizuar

Udhëtimi me tren në Shqipëri vazhdon të mbetet një “mollë e ndaluar”, ndërsa projekti për linjën Tiranë-Durrës ka hyrë në vitin e katërt të vonesave dhe kostoja e tij është rritur ndjeshëm.

Premtimi fillestar për përfundimin e saj brenda 30 muajsh nuk u mbajt, dhe tani, afatet janë shtyrë sërish, ndërsa kostoja e projektit ka kapur 110 milionë euro, një rritje prej 63% krahasuar me planin fillestar.

Një projekt që nuk po mbaron kurrë

Në shkurt të vitit 2021, qeveria shqiptare nënshkroi kontratën për rehabilitimin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e segmentit drejt Rinasit, me një kosto prej 69.6 milionë eurosh dhe një afat përfundimi brenda 30 muajsh.

Por katër vite më vonë, punimet ende nuk kanë përfunduar dhe kostoja është rritur në 110 milionë euro. Shkak për këtë rritje janë bërë shtesat për restaurimin e stacioneve, ndryshimet në projekt dhe rritja e çmimeve të materialeve të ndërtimit, si shinat dhe sistemet e sinjalizimit.

Sfidat dhe vonesat

Përveç problemeve teknike dhe financiare, projekti është penguar nga proceset e shpronësimit të banesave dhe bizneseve përgjatë linjës hekurudhore, të cilat janë kompensuar sipas rregullave të BERZH.

Sipas Leonard Janit, këshilltar i "Hekurudha Shqiptare", stacionet e trenave janë duke u restauruar dhe pritet të përfundojnë brenda këtij viti. Megjithatë, linja hekurudhore nuk do të jetë gati për udhëtarët as në 2025-ën, ndërsa punimet për infrastrukturën elektrike ajrore pritet të nisin në një fazë të dytë.

Një tren i shpejtë? Jo për momentin!

Pavarësisht investimeve, linja hekurudhore Tiranë-Durrës nuk është projektuar për trena të shpejtë elektrikë. Aktualisht, projekti parashikon vetëm ndërtimin e bazamentit të kolonave mbajtëse për një linjë elektrike në të ardhmen, ndërsa trenat do të funksionojnë me naftë në fazën fillestare.

Aktualisht, në Shqipëri funksionon vetëm segmenti Durrës-Elbasan (76 km) nga 390 km linjë hekurudhore që ka vendi. Ndërsa Tiranë-Durrës mbetet pezull, autoritetet premtojnë se treni do të nisë udhëtimet në vitin 2026, një tjetër afat që mbetet për t’u parë nëse do të mbahet. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit