

Erion Veliaj kërkon ndryshimin e masës “arrest në burg”. Nesër seanca në Apelin e GJKKO për shpalljen e vendimit
Tiranë – Gjykata e Posaçme e Apelit ka përfunduar një tjetër seancë për Erion Veliajn, por vendimi për ndryshimin ose konfirmimin e masës "Arrest në burg" është shtyrë për nesër, 13 mars, ora 10:00.
Kryebashkiaku i Tiranës, i arrestuar më 10 shkurt, kërkon zëvendësimin e masës së sigurisë me garanci pasurore, me argumentin se nuk ekziston rreziku për prishjen e provave.
Avokatët mbrojtës, Ermir Beta dhe Artur Selmani, kanë këmbëngulur në një masë më të lehtë sigurie, ndërsa SPAK vijon të qëndrojë në akuzat për korrupsion dhe pastrim parash.
Sipas koordinatores për të drejtën e informimit në Gjykatën e Posaçme të Apelit, Enida Demiraj, seanca u shty për të nesërmen, të mërkurën në orën 12:30, pasi avokatët do të njihen me provat e reja të dorëzuara nga prokurorët e SPAK.
Paraqitja e provave të reja nga ana e SPAK ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe të pandehurve të tjerë solli shtyrjen e seancës së vlerësimit të masave të arrestit në Gjykatën e Posaçme të Apelit, me kërkesën e avokatëve.
Sipas SPAK, Veliaj, në bashkëpunim me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, ka krijuar një skemë korruptive për transferimin e fondeve nga Bashkia e Tiranës dhe kontraktorët e saj drejt OJF-ve dhe individëve që, sipas hetuesve, kontrolloheshin nga Xoxa.
Në vijim të procesit, Veliaj vijon të mohojë akuzat, duke pretenduar se arrestimi i tij është i padrejtë.
Në masën e “arrestit në burg” ndodhet edhe biznesmeni Elman Adule, ndërsa janë lënë në “detyrim paraqitje” bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa dhe pesë biznesmenë, mes të cilëve, Shkëlqim Fusha i kompanisë “Fusha”, Gentian Sula i kompanisë “Agi Kons” dhe Fatmir Bektashi i kompanisë “Kontakt”. Nën hetim është dhe deputetja socialiste, Klotilda Bushka, njëherësh kryetare e Komisionit të Ligjeve, e cila dyshohet për kryerjen e veprimeve aktive që pengojnë zbulimin e të vërtetës në rastin e çështjes penale në ngarkim të Veliajt dhe të proceduarve të tjerë.
Nesër mbetet për t’u parë nëse Apeli i GJKKO do ta lërë në burg apo do të ndryshojë masën e sigurisë për kryebashkiakun e Tiranës. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd