

KUÇOVË – Emisioni Fiks Fare solli mbrëmjen e sotme rastin e një qytetari nga fshati Bardhaj i Kuçovës i cili për shkak të një faqeje në Tik Tok, ka shkuar deri në tentativë vetëvrasje.
Një 72-vjeçare e shqetësuar për gjendjen e djalit të saj tregon se atij i është hapur një faqe në Tik Tok, ku e tallin dhe e akuzojnë se ngacmon një 15 vjeçare.
“Djali im është i urtë, sheh punën e vet, askënd nuk ngacmon, i kanë hapur faqe në Tik Tok dhe unë e gjeta me litar në dorë që të shkonte dhe varte veten, por ju luta të mos e bënte” tregon e përlotur zonja Hava. Sipas saj djali është shumë i shqetësuar dhe rri gjithë kohën vetëm.
Ndërkohë djali edhe pse është 37 vjeç, denigrimi dhe akuzat që i bëhen nga kjo faqe i ka shkaktuar shumë shqetësim. “Jam shumë i shqetësuar, është imazhi im, unë kurrë s’kam ngacmuar të mitura, më marrin njerëzit në telefon dhe më thonë çfarë është kjo” thotë ai.
38 – vjeçari pranon se e ka menduar vetëvrasjen, pasi për të kjo që i ka ndodhur është shumë e rëndë. “Unë e mendoj po sikur të isha baba dhe të ishte hapur një gjë e tillë, po nëse i hapet mbesës sime? Kjo është shumë e rëndë , ndaj dua të mbyllet” thotë ai.
Gazetarët e Fiksit janë interesuar edhe në Komisariatin e Policisë Kuçovë të cilët kanë kërkuar që qytetari të shkojë në Komisariatin e Beratit, duke qenë se aty ka një sektor për krimin kibernitik.
Pas të gjitha procedurave dhe ankesat u arrit në një fund të lumtur. Faqja e Tik Tok-ut që publikoheshin imazhe të 37 vjeçarit duke e denigruar dhe akuzuar, tashmë nuk ka më publikime të tilla duke u mbyllur./Top Channel
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd