Magazinë
Transmetuar më 11-03-2025, 19:12

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka kërkuar këtë të martë zyrtarisht mbylljen e aksesit të platformës online, “TikTok”.

Në një e-mail të dërguar të gjitha subjekteve ISP (ofrues të shërbimeve të internetit) AKEP ka kërkuar që të bllokojnë aksesin e “TikTok” brenda datës 13 mars.

Vendimi për mbylljen e TikTok u mor pak ditë më parë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, ku u caktua mbyllja e aplikacionit për një afat 1-vjeçar, me argumentin se nxit dhunë tek të miturit. Ndërkohë ky vendim është kundërshtuar nga Opozita, e cila ka thirrur një protestë më 15 mars për të kundërshtuar mbylljen.

“Rinia kundër censurës”/ U kërkoi fëmijëve të linin mësimin, Berisha publikon sloganin e protestës kundër mbylljes së “TikTok”

Njoftimi i AKEP:

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) me shkresën nr. 1196 prot., datë 10.03.2025 (administruar në AKEP me nr. 359/2 prot., datë 10.03.2025), ka kërkuar marrjen e masave të nevojshme për bllokimin e aksesit në aplikacionin TIK TOK dhe infrastrukturën e tij digjitale në territorin shqiptar, duke ndërmarrë veprimet e mëposhtme:

Bllokimi i IP-ve të TikTok në territorin e Shqipërisë. Bllokimi i DNS-ve te TikTok në territorin e Shqipërisë. Bllokimi i SNI (Server Name Indications) të TikTok në territorin e Shqipërisë.

Bllokimi i IP-ve të kompanisë ByteDance në territorin e Shqipërisë. Në shkresën e AKSK-së citohet baza ligjore (Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 151 datë 6.3.2025) dhe listën e të gjitha IP-ve dhe domaineve, për të cilat kërkohet bllokimi i aksesit.

Bazuar në germën ç), të pikës 2 të nenit 30 të ligjit nr. 54/2024 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë” dhe germës e), pika 1, të nenit 9, si dhe pikës 9 të Aneksit E, të Rregullores së AKEP nr. 47 datë 26.10.2017 “Për zbatimin e regjimit të Autorizimit të Përgjithshëm”, çdo operator/sipërmarrës që ofron shërbime/rrjete të komunikimeve elektronike sipas regjimit të autorizimit të përgjithshëm, duhet të respektojë kufizimet e transmetimeve të përcaktuara me përmbajtje të paligjshme ose të dëmshme nga AKSK.

Për sa më lart, ju përcjellim shkresën e AKSK-së.

Gjithashtu, secili sipërmarrës (ISP), duhet të paraqesë konfirmim me shkrim në AKEP dhe për dijeni AKSK, për mbylljen e aksesit IP-ve dhe domaineve të cituara në shkresën e AKSK, brenda datës 13 mars 2025.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit