Transmetuar më 11-03-2025, 18:32

Apeli i GJKKO-së ka shtyrë për ditën e nesërme dhënien e vendimit për kërkesën ndaj masës së sigurisë për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj. Seanca e radhës pritet që të mbahet të mërkurën (nesër) në orën 12:30. Avokatët e Veliajt mësohet se kanë kërkuar të njihen me prova të reja. Sipas informacioneve, kryebashkiaku Veliaj ende nuk ka mbajtur fjalën e tij në seancën e Apelit e cila sot zgjati mbi 7 orë.

Mbrojtja e Veliajt ka bërë parashtrimet dhe duke këmbëngulur që masa e sigurisë “arrest në burg” duhet të shfuqizohet dhe se kryebashkiakut duhet t’i jepet mundësia të dalë nga paraburgimi. Sipas mbrojtjes, Veliaj nuk ka asnjë rrezik të prishë provat apo t’i dëmtojë ato si dhe as të intimidojë dëshmitarët.

Ankimimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës po e shqyrton gjyqtari Engert Pëllumbi. Në të njëjtën seancë, janë paraqitur për ankimin e masës edhe katër biznesmenët, Elman Abule që ndodhet në ‘arrest me burg’ dhe tre të tjerët Shkëlqim Fusha, Gentian Sula dhe Meriman Palushi që ndodhen në ‘detyrim paraqitjeje’.

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj u arrestua në zyrën e Bashkisë më 10 shkurt si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Bashkëshortja e kryebashkiakut, Ajola Xoxa është lënë në masë sigurimi "detyrim paraqitje".

Sipas SPAK nga të dhënat konkrete të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, në mënyrë të përmbledhur rezulton se, nga personat nën hetim, specifikisht Veliaj edhe bashkëshortja e tij është ideuar, krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm që ka synuar dhe ka bërë të mundur, në praktikë, marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë, përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal të këtij të fundit dhe familjes së tij, përmes veprimeve të kamufluara dhe të kundërligjshme.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit