

Ukraina mund të duhet të përballet me nevojën për të bërë lëshime territoriale ndaj Rusisë, si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme për t’i dhënë fund konfliktit. Kështu ka deklaruar Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, në një intervistë për The New York Times që citon noa.al.
“Gjëja më e rëndësishme është se Ukraina është e përgatitur të marrë vendime të vështira, ashtu si edhe Rusia do të duhet të bëjë sakrifica për të ndalur luftën ose për ta çuar drejt një përfundimi,” u shpreh Rubio, pa specifikuar detaje mbi kompromiset që mund të jenë të nevojshme nga të dyja palët.
Sekretari Rubio shprehu optimizëm për takimin e planifikuar mes zyrtarëve amerikanë dhe ukrainas në Arabinë Saudite. Ai theksoi se, megjithatë, disa detaje të rëndësishme të marrëveshjes për bashkëpunimin mbi mineralet e rralla mes Uashingtonit dhe Kievit ende nuk janë finalizuar.
Këto komente Rubio i bëri gjatë udhëtimit të tij drejt qytetit saudit të Xhedahut, ku ai dhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Mike Waltz, do të takohen të martën me një delegacion të nivelit të lartë nga Ukraina. Rubio tha se Uashingtoni synon të kuptojë se cilat lëshime është i gatshëm të bëjë Kievi.
Sipas një deklarate zyrtare, takimi ka për qëllim “përparimin e objektivit të Presidentit Donald Trump për të gjetur një zgjidhje për luftën mes Rusisë dhe Ukrainës.”
Kjo vizitë zhvillohet disa ditë pasi Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, i dërgoi një letër Presidentit Trump, në një përpjekje për të forcuar dialogun mes dy vendeve pas një takimi të tensionuar më 28 shkurt në Shtëpinë e Bardhë.
Të premten e kaluar, Presidenti Trump komentoi mbi ecurinë e negociatave për paqe.
"Ne po ecim përpara me Rusinë, por aktualisht ata po intensifikojnë bombardimet në Ukrainë. Për sa i përket Ukrainës, po has vështirësi të arrij një marrëveshje me ta, në një kohë kur ata nuk kanë shumë ndikim në tryezën e bisedimeve," tha Trump.
Si një mjet presioni për të çuar palët drejt një marrëveshjeje, Presidenti Trump ka pezulluar ndihmën ushtarake dhe shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës me Kievin, ndërkohë që ka paralajmëruar sanksione dhe tarifa ndaj Rusisë.
Analistët theksojnë se arritja e një marrëveshjeje përfundimtare do të ishte një sukses i rëndësishëm politik për Presidentin Trump.
“Në thelb, ai (Trump) ka vënë bast presidencën e tij mbi arritjen e një lloj marrëveshjeje. Megjithatë, është e vështirë të parashikohet rezultati, pasi ka shumë aktorë me interesa të ndryshme në këto negociata, përfshirë Rusinë, Ukrainën dhe Bashkimin Evropian,” tha William Pomeranz, analist në Institutin Kennan, një qendër kërkimore që studion Rusinë dhe ish-republikat sovjetike.
Ndërkohë, përpara takimeve mes SHBA-së dhe Ukrainës në Xhedah, që pritet të zgjasin deri më 12 mars, mbështetës të Ukrainës u mblodhën të shtunën në Uashington. Ndërsa në Ukrainë, zyrtarët raportuan një valë sulmesh të reja nga Rusia gjatë fundjavës, veçanërisht në rajonin e Donetskut dhe zona të tjera strategjike. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






