

Para ndeshjes së kthimit të 1/8-ave të Ligës së Kampionëve kundër PSG, trajneri i Liverpool-it, Arne Slot, theksoi se skuadra e tij duhet të japë më të mirën e sezonit për ta përballuar një ekip të kompletuar si ai parizien. Pavarësisht fitores 1-0 në ndeshjen e parë, Slot e konsideron përballjen ende të barabartë për kualifikim në çerekfinale, duke vlerësuar intensitetin dhe cilësinë e lojës së PSG-së në ndeshjen e parë.
Slot gjithashtu vuri në dukje se PSG është kundërshtari më i kompletuar që Liverpool-i ka hasur këtë sezon, duke e krahasuar atë me ekipe si Arsenali dhe Manchester City. Trajneri holandez nënvizoi rëndësinë e përgatitjes së mirë dhe pranoi se PSG ka një trajner të shkëlqyer, që arrin të nxjerrë më të mirën nga çdo lojtar, duke e bërë ekipin e tij të vështirë për t’u përballur. Para ndeshjes, trajneri i kryesuesve të Premier League, Arne Slot, foli në konferencë për shtyp.
Objektivi është finalja: "Mendoj se pas kësaj ndeshjeje, rruga drejt finales është ende e gjatë. E dimë që mund të ndeshemi me Aston Villa ose Club Brugge, më tej ndoshta me Arsenalin apo njërën nga skuadrat e Madridit. Të gjitha skuadrat janë mjaft të forta për të arritur deri në finale, kështu që është e vështirë të thuhet. PSG ka gjithçka për të humbur në këtë ndeshje, por edhe ne. Kemi arritur deri këtu dhe nuk kemi qenë gjithmonë në këtë fazë. Kjo është faza ku jemi eliminuar dy vite më parë. Zakonisht, këto ekipe arrijnë larg në këtë turne".
PSG, një ekip surprizë: "Disa thonin se Arsenali dhe Bayerni ishin më të fortë, por PSG ka bërë përmirësime të mëdha gjatë dy-tre muajve të fundit, ka ndryshuar stilin e lojës, sidomos jashtë fushe. I kam parë të dyja ndeshjet, PSG është përmirësuar ndjeshëm. Tani bën presion në gjithë fushën, kështu që ka ndryshuar. Po, varet nga ata se si e ndiejnë këtë ndeshje. Nuk mund të ndikoj në atë që ndiejnë ata. Nuk e di nëse është e vërtetë apo jo, por shpresoj që sonte të kenë një mendim ndryshe. Kjo është skuadra më komplekse që kemi përballur deri më tani. Sigurisht, kemi luajtur kundër Arsenalit, Real Madridit, Manchester City, por cilësia që ka PSG është e jashtëzakonshme. Ndoshta është klubi më i pasur, por ka aq shumë cilësi dhe një trajner të madh, që i orienton të luajnë në një mënyrë jo të lehtë për t’u përballuar, me një angazhim të jashtëzakonshëm. Kjo është arsyeja pse duhet të japim më të mirën sonte".
Çfarë do të thotë të jetosh një javë si kjo: "Jo vetëm për këtë javë, por për shumë arsye të tjera. Për këtë doja të isha trajner i Liverpool-it, sepse pret që të kesh kësi momentesh në ‘Anfield’, pret që të garosh për çdo trofe. Është një periudhë e bukur e sezonit, ka presion çdo ditë dhe ne e pëlqejmë këtë, përndryshe nuk do të ishim në këtë ambient".
Cilat janë diferencat nga ndeshja e parë: "Shpresojmë të kemi më shumë zotërim të topit, por sërish, nëse i keni parë duke luajtur, ata janë shumë intensivë edhe pa top. Kjo i lejoi të krijonin disa raste dhe të na e merrnin topin disa herë. Në minutën e 87-të ne luajtëm gjatë dhe ata mbetën të ekspozuar. Kur e pashë përsëri ndeshjen, vura re disa momente ku mund të kishim krijuar raste po të kishim luajtur më mirë. Çështja është se ata na lodhën më shumë seç doja, bënë presion të vazhdueshëm dhe kur nuk ke topin, lodhesh shumë për ta ekzekutuar lojën në mënyrë perfekte. Kjo është arsyeja pse ka sens të kemi më shumë topin dhe të shpresojmë që loja të hapet pak më tepër. Nuk jam dakord me ata që thanë se luajtëm keq, nuk e njohin meritën e madhe që ka PSG".
Sa shanse keni për t’u kualifikuar më tej: "Mendoj se shanset janë 50/50. Rezultati është në favorin tonë, por performanca ishte në anën e tyre. Avantazhi ynë prej 1-0 na jep besim, por po, 50/50 është një vlerësim i drejtë për këtë përballje".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






