Transmetuar më 10-03-2025, 19:20

Policia franceze ka çmontuar një bandë kriminale shqiptare, që kishte kryer rreth 50 grabitje në vilat dhe rezidencat e personazheve publikë, si futbollistë, pilotë të Formula Uno apo këngëtarë të famshëm në Francë e Belgjikë.

Në total, banda e shqiptarëve rezulton të ketë vjedhur mbi 1 milion euro, përfshi bizhuteri dhe artikuj luksozë, që i kanë shitur më pas në Shqipëri. Bëhet fjalë për anëtarët e grupit të Edison Pulës, shqiptari i njohur si mjeshtër i arratisjeve dhe anëtar i bandës së Niklës, i cili u arrestua në janar të 2025-ës në Luksemburg.

Arrestimet e bandës së grabitjeve janë kryer në dy faza: dy prej anëtarëve të dyshuar të rrjetit, të njohur me emrin “Nikla”, u arrestuan më 20 janar në Luksemburg, në kuadër të urdhër-arresteve evropiane të lëshuara nga Gjykata e Reims-it, sipas njoftimit zyrtar. Pesë persona të tjerë u ndaluan të martën e kaluar në zonën e Reims-it.

Drejtuesi i bandës, Edison Pula, u identifikua falë gjurmëve të ADN-së, të gjetura në më shumë se 30 grabitje, kryer mes qershorit 2022 dhe shtatorit 2024, ndërsa është i dyshuar gjithashtu edhe për një tentativë vrasjeje në Shqipëri.

Hetimet janë zhvilluar nga Zyra Qendrore për Luftën kundër Kriminalitetit, në bashkëpunim me  Seksionin e Kërkimeve dhe Brigadën e Kërkimeve të Reims-it, si dhe Brigadën për Luftën kundër Banditizmit të Policisë Kriminale të Parisit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit