Magazinë
Transmetuar më 10-03-2025, 19:12

Nëna e 34-vjeçarit ka njoftuar Policinë e cila organizoi një operacion policor, duke arrestuar dy persona

Policia është thirrur për të hetuar një rast të pazakontë. Gjithçka nisi kur familja e një 34-vjeçari nga Athina në Greqi, denoncoi rrëmbimin e tij nga një emigrant 37-vjeçar në rajonin e Artës, raporton noa.al.

Emigranti kishte kontaktuar me ta duke kërkuar një shpërblim prej 3200 eurosh, para të cilat i ishin paguar në llogarinë e tij bankare.

Por, më pas u zbulua se djali i familjes dhe emigranti kishin inskenuar bashkërisht rrëmbimin për të marrë paratë nga familja e grekut.

Konkretisht, sa i përket kronologjisë së rastit, të afërmit e të riut grek kanë denoncuar në policinë e Athinës se ai ishte rrëmbyer nga një i huaj, i cili kërkonte pagesën e një shpërblimi prej 3200 eurosh, shumë e cila i ishte transferuar në llogarinë e tij bankare.

Pas hetimeve me metoda speciale, efektivët e Policisë së Hetimit të Krimeve kanë lokalizuar shtëpinë e emigrantit në një fshat të Artës, ku dyshohej se mbante shtetasin vendas.

Pas një operacioni të organizuar policor me pjesëmarrjen e një ekipi të Njësisë Speciale Represive Antiterroriste të Selanikut dhe negociatorëve specialë të Drejtorisë së Policisë së Artës dhe Prevezës, dy personat që gjendeshin aty u prangosën.

Nga ecuria e hetimeve paraprake, rezultoi se të pandehurit kishin hartuar bashkërisht një plan për të nxjerrë nga familja e shtetasit grek shumën e kërkuar të parave me pretekstin e rrëmbimit të tij.

Në kuadër të hetimeve janë sekuestruar 3 aparate celularë dhe 420 euro.

Vihet re se të dy të pandehurit kanë qenë të dënuar në të kaluarën për vepra të rënda penale. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit