

Sali Berisha prezanton koalicionin opozitar për zgjedhjet e 11 majit: “Shqipëria Madhështore” në qendër të programit
Tiranë – Ish-kryeministri dhe lideri i opozitës, Sali Berisha, prezantoi sot koalicionin opozitar dhe programin politik për zgjedhjet e 11 majit. Në një fjalim të mbajtur para mbështetësve të tij, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama si një “armik të egër të kombit shqiptar” dhe e kritikoi për mungesën e arritjeve gjatë 12 viteve të qeverisjes së tij.
"PD dhe aleatët kanë epërsi të pakrahasueshme"
Berisha u shpreh se Partia Demokratike dhe aleatët e saj po hyjnë në fushatë me një epërsi të madhe ndaj qeverisë aktuale, të cilën e cilësoi si “padrino të narkoshtetit dhe bandat e tij.” Ai theksoi se opozita përfaqëson vlerat e shtetit ligjor dhe Kushtetutës, ndërsa akuzoi qeverinë për arrestime politike dhe korrupsion masiv.
"Shqipëria Madhështore", projekti i opozitës
Në qendër të programit të opozitës, Berisha prezantoi projektin “Shqipëria Madhështore”, të cilin e cilësoi si “ëndrrën më të bukur të çdo shqiptari, atdhetari dhe njeriu punëtor.” Ai e përshkroi këtë vizion si një plan të madh për zhvillimin e vendit dhe rikthimin e dinjitetit kombëtar.
Akuza të forta ndaj qeverisë Rama
Lideri demokrat akuzoi kryeministrin Rama për korrupsion dhe shpërdorim fondesh publike, duke përmendur projekte të mëdha infrastrukturore si Tuneli i Llogarasë dhe Unaza e Madhe e Tiranës, të cilat sipas tij janë shoqëruar me vjedhje masive. Ai kritikoi gjithashtu qeverinë për mungesën e rritjes së pensioneve dhe pagave, si dhe për rritjen e kostos së jetesës.
“Edi Rama, argat i Vuçiçit”
Në pjesën përmbyllëse të fjalës së tij, Berisha e akuzoi Ramën se ka tradhtuar interesat kombëtare të Shqipërisë dhe Kosovës, duke vepruar në favor të Serbisë. Ai e krahasoi Ramën me figura të së kaluarës që, sipas tij, kanë dëmtuar çështjen shqiptare, duke e cilësuar atë si një “rrezik madhor antikombëtar.”
Fushata për zgjedhjet e 11 majit tashmë ka hyrë në një fazë intensive, me koalicionin opozitar të udhëhequr nga Berisha që synon të mobilizojë votuesit kundër qeverisë aktuale.
Mbështetje për shtresat në nevojë dhe rritje e pagave
Sipas Berishës, ndërtimi i “Shqipërisë Madhështore” do të nisë me adresimin e dhimbjeve dhe vuajtjeve të shqiptarëve, veçanërisht atyre që përballen me varfëri ekstreme. Ai premtoi se brenda tre muajve të parë të qeverisjes, asnjë shqiptar nuk do të mbetet pa një minimum jetik prej 200 eurosh, ndërsa paga minimale do të jetë jo më pak se 500 euro dhe ajo mesatare do të arrijë 1,200 euro.
Karta e konsumatorit dhe reforma në shëndetësi
Një tjetër masë e rëndësishme e programit është “Karta e Konsumatorit”, e cila do t’u mundësojë qytetarëve të marrin mbrapsht TVSH-në që paguajnë për ushqimet, një shumë e llogaritur rreth 450 euro në vit.
Në sektorin e shëndetësisë, Berisha premtoi se ilaçet do të jenë cilësore dhe të subvencionuara nga shteti, duke kritikuar ashpër situatën aktuale të tregut farmaceutik dhe mungesën e barnave për kategoritë në nevojë.
Ulje e çmimit të naftës dhe energjisë
Në aspektin ekonomik, lideri demokrat garantoi se çmimi i naftës në Shqipëri nuk do të jetë më i lartë se ai në Kosovë, duke e cilësuar si të padrejtë diferencën aktuale të çmimeve mes dy vendeve. Po ashtu, energjia elektrike për familjarët do të ulet në 7 lekë/kWh, ndërsa për bizneset do të jetë tre herë më lirë, në vetëm 6 lekë/kWh.
Dëmshpërblime për pronarët dhe të përndjekurit
Brenda mandatit të parë qeverisës, Berisha u zotua për përmbushjen e të gjitha detyrimeve ndaj pronarëve dhe të përndjekurve politikë, duke i kompensuar ata për dëmet dhe pronat e konfiskuara.
Një koalicion i gjerë me programin më të mirë
Duke e konsideruar këtë si koalicionin më të gjerë opozitar në historinë e Shqipërisë, Berisha deklaroi se opozita po shkon drejt zgjedhjeve me një vizion të qartë për të ndërtuar një Shqipëri më të drejtë dhe më të begatë.
“Ndërtimi i Shqipërisë Madhështore fillon duke i dhënë fund varfërisë, korrupsionit dhe padrejtësisë. Kjo është detyra jonë madhore dhe ne do ta përmbushim atë me vendosmëri”, përfundoi Berisha.
/noa.al
Pjesë nga fjala e Berishës
PD dhe aleatët e saj nisin fushatën me një epërsi të pakrahasueshme, me kundërshtarin tonë, padrinon e narkoshtetit dhe bandat e tij.
I gjithë vullneti i njerëzve të lirë, njerëzve dinjitozë, njerëzve që besojnë tek ligji dhe Kushtetuta, njerëzve që besojnë tek vlerat dhe jo tek mandatet e marra duke arrestuar liderët politikë të opozitës, jo në shndërrimin e Shqipërisë në vendin e torturave, jo në plaçkitjet më të mëdha që ka njohur historia ndaj qytetarëve shqiptarë dhe pamëshirësisë ndaj tyre.
Pra, para qytetarëve shqiptarë ne shkojmë kokulur dhe ballëhapur.
Shkojmë kokulur sepse do kërkojmë mbështetjen e tyre, zemrën e tyre, mendjen e tyre.
Por gjithashtu ne paraqesim një projekt që Shqipëria nuk e ka njohur kurrë më parë.
Ne paraqesim një projekt, në pamje të parë, i largët pak, Shqipëria Madhështore.
Por ne paraqesim një projekt që është absolutisht ëndrra më e bukur, e ditës dhe jo e natës, e çdo shqiptari, e çdo atdhetari, e çdo njeriu punëtor, e çdo njeriu të lirë, e çdo njeriu me dinjitet.
Çfarë paraqet pala tjetër? Paraqet hardhucë, zhapikë, bretkosa, zhaba dhe tani së fundmi i ka ngelur në gojë.
Pra, një njeri që ka qeverisur 12 vite dhe nuk u thotë dot shqiptarëve, nuk u tregon dot shqiptarëve një arritje?
A mundet kështu? Nuk u tregon dot sepse ato arritje që numërohen me gishtat e dorës, janë të nxira nga vjedhjet e tmerrshme.
Nuk u përmend dot tunelin e Llogarasë, sepse shkruhet 50 milionë të vjedhura me një dorë.
Nuk flet dot për unazën që e mbylli përsëri, sepse 13 kilometrat e fundit i ndau në 14 kontrata.
Nuk përmend dot rasat e gurit që ka shtruar nëpër qytete sepse ka vjedhur me to 10 herë çmimin e tyre.
Nuk përmend dot suksese sepse ka mashtruar për çdo gjë shqiptarët.
Se u thoshte ujë 24 orë, dhe tani ujë më keq se kurrë.
Se u thoshte pensionet, rrogat, dhe tani në qoftë se rritet pensioni minimal aq, Shqipëria bie në katastrofë.
Nuk përmend TVSH-në e ushqimeve që do ulte, paçka se çmimet kanë shkuar në stratosferë.
Nuk përmend dot asgjë, asnjë premtim, sepse të gjitha janë mashtrime.
Por mbi të gjitha, forcat tona politike janë forca të interesit kombëtar.
Ne së bashku përfaqësojmë interesin kombëtar të shqiptarëve.
Çfarë përfaqëson ai? Ai përfaqëson një nga armiqtë më të egër të kombit në të gjitha kohërat.
Ai përfaqëson njeriun që në 12 vite qeverisje, përzuri nga Shqipëria 45 përqind të shqiptarëve. Ndaj dhe u etiketua si Pashiqi i Tiranës.
Ai përfaqëson njeriun e parë në Europë që i vuri sanksione shtetit të pavarur të Kosovës për llogari të Beogradit.
Miq, kush ka lexuar histori, do gjejë se Enver Hoxha i shkruante Stalinit: Shoku Stalin, Kosovën e lamë me Jugosllavinë se më e sigurt me Jugosllavinë. Mendja na thotë se vepruam drejt.
Edi Rama, Kosovën e la me Vuçiçin.
Edi Rama u shndërrua në argat të Vuçiçit.
Dy ditë më parë, Departamenti i Shtetit, sekretari Marco Rubio dënoi Dodikun. Edi Rama hesht si fija e barit për aktet e tij destabilizuese.
Pra kemi të bëjmë në këtë aspekt, shpëtimin e Shqipërisë nga një rrezik madhor antikombëtar që rrallë e ka pasur në histori, siç është Edi Rama.
Edhe njëherë, ne kemi paraqitur para shqiptarëve programin më të bukur, programin më të mirë, programin e një Shqipërie vërtet madhështore.
Shqiptarët duhet ta dinë ku e nisim ne këtë. Ku e nisim ne ndërtimin e Shqipërisë Madhështore?
Ndërtimin e Shqipërisë Madhështore e nisim tek dhimbjet e tyre, tek vuajtja e tyre, që vjen nga mospasja, që vjen nga varfëria ekstreme, me zotimin solemn që tre muajt e parë nuk do ketë shqiptar që nuk do marrë 200 euro minimum jetik.
Se rrogë minimale nuk do ketë nën 500 euro.
Se rrogë mesatare nuk do ketë nën 1200 euro.
Nuk ka detyrim më madhor për njeriun që ka shpirt dhe zemër se sa taksat që merr prej qytetarëve, t’ua kthejë atyre direkt në mirësi, në mirëqenie, t’i çlirojë ata nga vuajtja e blerjes së ushqimeve, ilaçeve, etj.
Vetëm kaq? Jo, edhe më shumë.
Kjo shtresë në nevojë, këto që i japim nuk i ka të mjaftueshme dhe ne e kemi vetëdijen për këtë. Ka dalë jashtë zonës së varfërisë ekstreme, por nuk i ka të mjaftueshme.
Atëherë karta e konsumatorit.
Secili prej tyre do marrë mbrapsht TVSH-në që paguan për ushqimet, e llogaritur nga ekspertët 450 euro me kartën e konsumatorit.
Ilaçet do të jenë krejt të tjera. Nuk do mund të shiten ilaçe, të cilat kanë çerek apo gjysmë efekti siç ndodh tani. Qeveria do kompensojë çdo rritje, por ilaçet do jenë cilësore ama, nuk do jenë një mashtrim i përditshëm për të sëmurët.
Se prape jemi tek dhimbja, aty e nisim ne.
Po si mundet një shoqëri, një komb me një buxhet 7-8 miliardë, të lërë një grup njerëzish pa ilaçe se ilaçet e tyre kushtojnë?
Atë e bën një qeveri e pashpirt, por një komb i qytetëruar nuk e bën kurrë.
Pse nuk ekzistonte kjo situatë përpara? Edhe atëherë kushtonin. Ka ilaçe që kushtojnë shumë, por nuk mungonin në mënyrë absolute.
Se këta i përzunë kompanitë nga Tirana, i pushtuan vetë.
Për t’ua thjeshtuar, në qoftë se ne rrugët e mëdha të Shqipërisë i ndërtuam me kompanitë më të mëdha të botës, këta ndërtojnë me Salillarin e me radhë dhe shemben, kushtojnë, ribëhen, etj.
Kështu është edhe puna e ilaçeve. Ilaçet i dominon Vilma Nushi dhe shqiptarët marrin ilaçe jashtë çdo kontrolli. Merr fund.
Nafta, jo mo nuk mund ta paguajë shqiptari… shqiptari do lëvizë se tani vihen para problemit të kenë a mos të kenë makina, të kenë sa më shumë makina… dhe nafta do të jetë as një qindarkë më shtrenjtë se në Kosovë që e merr nga Durrësi dhe e shet 40 përqind më lirë.
Energjia elektrike do ulet. Do jetë 7 lekë. Mund të jetë edhe më lirë, por unë po them 7 lekë. Për biznesin do jetë 6 lekë, do jetë tre herë më lirë.
Pronarët, të përndjekurit, brenda mandatit të parë do marrin çdo dëmshpërblim, çdo rikthim, çdo kompensim që u takon.
Pra, ne shkojmë vërtet koalicioni më i gjerë në histori, ama shkojmë me programin më të mirë që ka njohur Shqipëria ndonjëherë në ekzistencën e saj.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






