

Sipas raporteve të fundit, Igli Tare po konsiderohet kandidati kryesor për pozicionin e drejtorit sportiv të Milanit. Ish-drejtori sportiv i Lazios ka një histori të pasur në Serie A, me transferime të suksesshme si Sergej Milinkovic-Savic dhe Ciro Immobile.
Në vitin 2019, ai refuzoi një ofertë nga Paolo Maldini për t’u bashkuar me Milanin, duke zgjedhur të qëndronte te bardhekaltrit. Nëse Tare do të emërohet në këtë rol, ai do të sjellë përvojën e tij të pasur në drejtimin sportiv, duke u fokusuar në përmirësimin e skuadrës dhe rikthimin e Milanit në majat e futbollit europian.
Ditën e sotme, prestigjiozja sportive italiane “Gazetta dello Sport” i ka dedikuar një shkrim të gjatë shqiptarit dhe shanseve për ta parë në krye të “Djallit”. Igli Tare e ka pasur gjithmonë Milanin në fatin e tij, qoftë si kundërshtar, qoftë si opsion në karrierën drejtuese. Tani, me klubin kuqezi që kërkon një drejtor sportiv të ri, shqiptari duket më afër se kurrë për ta marrë këtë rol. Nëse zyrtarizohet, ai do të jetë një figurë kyçe në revolucionin që po përgatit Milani për se zonin e ardhshëm:
“Igli Tare duket gjithnjë e më afër postit të drejtorit sportiv te Milani, duke qenë favorit ndaj Fabio Paraticit. Për ish-drejtuesin e Lazios, ku luajti dhe punoi për 17 vite, Milani nuk është një emër i panjohur. Nga debutimi i tij në Serie A, te dopieta ndaj kuqezinjve dhe një thirrje e refuzuar nga Maldini, ja pesë momentet që e lidhin Igli Taren me ‘Djallin’.
1. Debutimi në Serie A (2001)
Igli Tare hyri në elitën e futbollit italian më 28 janar 2001, në një sfidë mes Brescia dhe Milanit, e përfunduar 1-1. Ai u transferua në Brescia nga Kaiserslauterni gjatë merkatos së dimrit dhe debutoi duke zëvendësuar Andrea Pirlon e ri. Vetëm një javë më vonë, më 4 shkurt, shënoi golin e parë në Serie A kundër Barit.
2. Dopieta ndaj Milanit (2001-2002)
Në sezonin 2001-2002, Igli Tare ishte pjesë e sulmit të Brescia së drejtuar nga Carlo Mazzone, duke luajtur përkrah Luca Tonit dhe Roberto Baggios. Në ndeshjen hapëse të sezonit, më 26 gusht 2001, ai i shënoi dy gola Milanit brenda 5 minutave, me dy goditje të sakta me kokë. Në minutën e 36-të mposhti Francesco Coco, i futur në vend të Rui Costës së dëmtuar. Në minutën e 41-të përfitoi nga një dalje e gabuar e Abbiatit për të shënuar golin e dytë. Pavarësisht kësaj, Milani arriti të barazonte në pjesën e dytë me golat e Brocchit dhe Shevchenkos. Tare e mbylli aventurën me Brescia me 17 gola dhe 2 asiste në 86 paraqitje.
3. Lidhja me agjencinë e Moggi dhe Ibrahimovic
Tare ishte pjesë e ‘GEA World’, agjencia e lojtarëve e drejtuar nga familja ‘Moggi’, e cila u përfshi në skandalin ‘Calciopoli’ më 2006. Zlatan Ibrahimovic, sot një figurë kyçe në menaxhimin e Milanit, gjithashtu ka qenë pjesë e kësaj agjencie. Ky detaj mund të ndihmojë në forcimin e marrëdhënies mes tyre, nëse Tare bëhet drejtor sportiv te kuqezinjtë.
4. Thirrja e refuzuar nga Maldini (2019)
Më 2019, kur Milani ishte ende nën pronësinë e ‘Elliott Management’, Paolo Maldini kontaktoi Taren për t’u bërë pjesë e projektit të tij te kuqezinjtë. Megjithatë, Claudio Lotito nuk e lejoi largimin e tij nga Lazio, duke i rinovuar kontratën deri më 2022. Më vonë, Tare do të deklaronte: "Paolo më kërkoi te Milani, por nuk ishte e mundur. Në atë kohë ishim në kulmin e projektit te Lazio".
5. Transferimi i dështuar i Pavloviç
Pesë vite më parë, Tare zbuloi një mbrojtës të talentuar serb, që sot është pjesë e Milanit; Strahinja Pavloviç. Në atë kohë, ai ishte një premtim i madh te Partizani i Beogradit, teksa Lazio kishte arritur marrëveshjen për ta transferuar. Megjithatë, vizitat mjekësore në ‘Formello’ zbuluan një problem, duke bërë që marrëveshja të prishej. Sot, Pavloviç është një pjesë e ngjyrave kuqezi. A do të bashkohen rrugët e tyre këtë verë?"
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






