

Nivelet e zhurmës janë problematike në disa zona me trafik të lartë dhe aktivitet ekonomik intensiv, teksa zonat më të ndikuara përfshijnë “Pazarin e Ri”, “Sheshin Italia” dhe “Rrugën e Kavajës”, ku nivelet e decibelëve shpesh tejkalojnë kufijtë e rekomanduar për një mjedis të shëndetshëm”.
Kjo është një prej gjetjeve në Raportin Vjetor “Cilësia e ajrit dhe ndotja akustike”, i hartuar nga organizata Co-PLAN, me fonde të qeverisë suedeze.
Për të kryer monitorimit u përzgjedhën 13 stacione, në unazën e vogël të Tiranës, teksa matjet u kryen gjatë periudhës gusht-dhjetor 2024, duke mbuluar tre sezone të ndryshme: verën, vjeshtën dhe fillimin e dimrit.
Sipas raportit, kjo periudhë kohore lejon një vlerësim të ndotjes së ajrit dhe ndotjes akustike në varësi të faktorëve sezonalë, si ndryshimet në temperaturë, reshjet, lëvizshmëria e popullsisë dhe aktivitetet ndërtimore. Përveç zonave të mësipërme, disa nga pikat e monotiruara përfshijnë Kryqëzimin e 21 Dhjetorit, Rrugën e Kavajës, Zogun e Zi, sheshin Skënderbej, Piramidën, sheshin Italia, shkollën Mihal Grameno, rrugën Bardhyl, etj.
Matjet janë kryer në 6 raunde të ndryshme dhe për secilin prej tyre ka luhatje të rezultateve. Përshembull në raundin e parë Sheshi Italia ka nivelin më të lartë të ndotjes akustike, me 72.2 dB, duke treguar se kjo është një nga zonat më të zhurmshme të matura.
Ndërsa, në raundin e dytë Treni dhe Pazari i Ri janë ndër zonat më të zhurmshme, me nivele që arrijnë deri në 66.8 dB dhe 67.5 dB, duke theksuar ndikimin e lartë të trafikut dhe frekuencës së vizitorëve.
Sipas raportit, ekspozimi i vazhdueshëm ndaj ndotjes akustike mund të ketë efekte negative në shëndetin e banorëve, duke shkaktuar stres, lodhje kronike, vështirësi në përqendrim, probleme të dëgjimit dhe çrregullime të gjumit.
Për këtë arsye kërkohet marrja e masave për reduktimin e nivelit të zhurmave, por edhe ndotjes së ajrit, veçanërisht nëpërmjet shtimit të sipërfaqeve të gjelbra aktive, mbjelljes së bimësive autoktone që arrijnë të absorbojnë më tepër ndotës, si dhe stimulimin e fasadave të gjelbërta, apo gjelbërimit vertikal./SCAN
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd