Transmetuar më 08-03-2025, 21:46

Nisi në orën 13:00 të mesditës dhe përfundoi në 19:55. Për 7 orë, kryeministri Edi Rama mblodhi në Pallatin e Brigadave, ministrat e qeverisë dhe drejtuesit politikë të PS në qarqe.

Takimi ishte hermetik, me informacion tepër të kufizuar edhe për mediat.

Risia për këtë fushatë është se socialistët do të ndahen dhe do të lëvizin edhe jashtë vendit për të organizuar takime elektorale. Fushata do të përqendrohet kryesisht në Greqi dhe në Itali, nga ku vjen edhe numri më i madh i emigrantëve që janë regjistruar për të votuar, me rreth 100 mijë.

Rama dhe drejtuesit politik të PS do të jenë të pranishëm në takimet me diasporën për të kërkuar votën.

Sakaq, mësohet po ashtu se raportimi i ministrave në takimin e djeshëm dhe të sotëm ka qenë për atë çfarë do të premtojnë gjatë fushatës.

“Programin elektoral të PS, Rama e ka bërë gati prej kohësh, është i rakorduar mes punës qeveritare dhe punës së pushtetit lokal, ku tashmë do të jenë një ekip që synon mandatin e katërt”, raportoi Beleshi.

Ndërkohë slogani i mundshëm i PS në këto zgjedhje pritet të jetë, “Me ne në BE, me ata në kënetë?”. Kjo pasi, integrimi në Bashkimin Europian është karta e PS sa i përket objektivit kryesor në këtë fushatë.

Vendimi final merret në mbledhjen e kryesisë socialiste më 12 Mars.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit