

Washington, 8 mars 2025 – Një përplasje ka shpërthyer gjatë një takimi të kabinetit të Presidentit amerikan Donald Trump, ku është diskutuar për përpjekjet e Elon Musk për të ulur shpenzimet dhe numrin e punonjësve të qeverisë. Sipas raportimeve të mediave, tensionet arritën kulmin kur Musk akuzoi Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, për mos arritjen e një shkurtimi të mjaftueshëm të stafit në Departamentin e Shtetit. Musk gjithashtu i tha Rubios se ai ishte “i mirë në TV”, duke anashkaluar punën e tij si kryediplomati amerikan.
Manjati i teknologjisë u përplas edhe me Sekretarin e Transportit, Sean Duffy, duke e pyetur nëse task-forca e Departamentit të Efiçencës Qeveritare të Musk (Doge) kishte tentuar të shkarkonte kontrollorët e trafikut ajror, pas problemeve të vazhdueshme me linjat ajrore amerikane që ndodhin që prej marrjes së detyrës nga Trump.
Pas kësaj përplasjeje, presidenti Trump ndërhyri për të bërë të qartë se ai ende e mbështeste Doge, por për të ardhmen, sekretarët do të mbajnë përgjegjësinë kryesore dhe ekipi i Musk do të jetë në rol këshillues.
Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit theksoi se takimi ishte një “diskutim i hapur dhe produktiv”, ndërsa Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë më shumë detaje për ngjarjen.
Kjo mbledhje ka ngritur dyshime për kufizimin e ndikimit të Musk në administratën Trump, pas përpjekjeve të tij të mëdha për të ulur shpenzimet e qeverisë. Trump e ka komentuar se ai ka udhëzuar sekretarët të punojnë me Doge për masa që do të ndihmojnë në uljen e kostove, por do të përdoren "mjetet e duhura", siç ka thënë ai, duke e lënë të hapur mundësinë për më shumë kufizime në fuqinë e Musk.
Në këtë kontekst, Musk ka udhëzuar për shkarkimin e punonjësve të rinj të qeverisë dhe ka kërkuar që disa punonjës federalë të dorëhoqen në këmbim të një pagesë të paradhënieve. Megjithatë, disa agjenci qeveritare e kanë anuluar këtë kërkesë, duke përfshirë ato që mbikëqyrin sigurinë bërthamore, për shkak të ndikimit që mund të kenë këto shkarkime.
Pavarësisht tensioneve, Trump dhe Musk mbeten në një marrëdhënie të fortë dhe vazhdojnë të bashkëpunojnë për nisma të tjera, duke e theksuar këtë përmes një fluturimi në Air Force One për në Mar-a-Lago, ku u panë së bashku fundjavën e kaluar.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






