Transmetuar më 07-03-2025, 12:29

Tiranë, 7 mars 2025-Detaje të reja dalin në dritë nga hetimet për zbardhjen e vrasjes së palestinezes Rayyan Alwan, e cila u vra nga i ati, Fadi Alwan, në Tiranë.

Autoritetet gjermane, në kthim-përgjigjen për autoritetet shqiptare bëjnë me dije se shkaku që dyshohet se mund të fshihet pas vrasjes së 24-vjeçares, është për çështje nderi, pasi dyshohet se familja ishte në presion për ekzistencën e një video ku vajza e tyre shfaqej nudo.

Në datën 26 Shkurt, 1 ditë para se vajza e saj 24-vjeçare të gjendej e pajetë në një shtëpi me qira në Tiranë, nëna e saj ka bërë një kallëzim penal për zhvatje në Gjermani për këtë video.

Sipas nënës së Rayyan, prej Dhjetorit 2024, ajo i kishte dhënë disa herë vajzës para për të paguar kërcënuesit që u kishte rënë në dorë video dhe vajza, pa praninë e së ëmës, i ka dërguar paratë përmes kompanive të transfertave, për të plotësuar kërkesat e shantazhuesit.

Megjithatë, në kallëzim, nëna e Rayyan nuk përjashton mundësinë që pas shantazhuesit të qëndronte vetë vajza e saj.

Sipas saj, Rayyan kishte fluturuar në Shqipëri së bashku me të atin Fadi Alwan, i cili nuk jeton me nënën e saj, më 19 Shkurt 2025.

Aty dyshohet se vajza i tregoi babait videon dhe nëna pretendoi se kishte lindur një mosmarrëveshje mes babait dhe vajzës, vetëm një mosmarrëveshje verbale.

Në një tjetër kallëzim që ka bërë Rayyan Alwan më 3 Janar 2024, ka pretenduar në atë kohë, se familja e saj, nëna, babai dhe dy vëllezërit, e kërcënonin me vdekje prej disa kohësh për shkak të dëshirës së saj për një jetë të lirë dhe perëndimore.

Ajo gjithashtu në denoncim në atë kohë, u tha autoriteteve gjermane se ishte e divorcuar prej tre vitesh, se ish-bashkëshorti dhe fëmijët së bashku supozohet të jetojnë në Liban.

Ankesa të mëtejshme për kërcënim nga familjarët nuk janë bërë në vazhdim në Berlin.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit