

Neymar Jr është rikthyer në listën e lojtarëve të thirrur nga Brazili. Lajmi, i njoftuar dje nga trajneri Dorival Jr për ndeshjet e ardhshme kualifikuese të Kupës së Botës 2026 ndaj Kolumbisë (më 21 mars) dhe Argjentinës (më 26 mars), i jep fund mungesës së yllit brazilian për më shumë se një vit e gjysmë, pas një dëmtimi të rëndë në gju që pësoi gjatë një ndeshjeje në Uruguaj, në tetor të vitit 2023, i cili e mbajti atë larg fushave për një vit, para se të rikthehej në lojë tetorin e kaluar me Al-Hilal.
Transferimi i tij te Santosi (në huazim) i dha një shtysë të madhe këtij rikthimi të madh në kombëtaren braziliane. Dorival Jr foli për thirrjen e “O’Ney”: "Nuk ka nevojë të flasim për atë çfarë përfaqëson Neymar, momenti që po kalon është një proces rikuperimi. Ne e kuptojmë këtë, jemi të vetëdijshëm. Po ashtu e kuptojmë se aftësitë dhe cilësitë e një lojtari si ai përfundojnë duke qenë faktor vendimtar për të kapërcyer çdo situatë që mund të ndodhë gjatë një ndeshje.
Është një lojtar për të cilin vetë lojtarët e tjerë kanë shprehur publikisht çfarë përfaqëson në grupin tonë. E prisnim, kjo është mundësia e parë që na ofron. Shpresoj që Neymar të jetë shumë i lumtur për rikthimin e tij dhe ne t’i ofrojmë sigurinë e nevojshme që të mund t’i zhvillojë sa më mirë aftësitë në momentin që po kalon".
Trajneri i Seleção u përpoq ta zbusë entuziazmin e madh që është shkaktuar: "Mos krijoni shumë pritshmëri duke e ngarkuar me tërë përgjegjësinë për këtë rikthim. Le të ketë ekuilibër dhe vazhdimësi në këto dy ndeshje, të cilat do të jenë shumë të vështira, por edhe për kundërshtarët tanë. Ata do të përballen me një ekip brazilian shumë të përgatitur, i aftë të luajë dy ndeshje shumë të rëndësishme në këtë fazë, të cilat janë thelbësore për kualifikimin tonë".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






