

Kosovë- Përkujtohen aktet heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në kuadër të aktiviteteve të organizuara për Epopenë e UÇK-së, me theks të veçantë në Prekaz. Në datat 5, 6 dhe 7 mars, nderohet sakrifica e familjes Jashari dhe gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.
Axhenda e aktiviteteve:
E enjte, 6 mars:
10:00 – Krerët e shtetit të Kosovës bëjnë homazhe në Kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Homazhe nga komunat në të gjitha komplekset memoriale të dëshmorëve. 12:00 – Parakalimi i motorklubeve në Skënderaj. 19:00 – Akademi përkujtimore për Epopenë e UÇK-së në Prishtinë. E premte, 7 mars:
19:00 – Ndezja e flakadanëve në shtatë rajone të Republikës së Kosovës. 19:00 – Nata e zjarreve në Prekaz. 19:30 – Programi artistik në Sheshin “Adem Jashari” në Skënderaj. Historia e familjes Jashari dhe Epopesë së UÇK-së: Nga vitet 1991 deri më 1998, Prekazi dhe Drenica ishin të rrethuar nga forcat paramilitare serbe, me synimin për të shuar çdo formë rezistence që familja Jashari, e udhëhequr nga Adem Jashari dhe Hamza Jashari, po i bënte regjimit të Sllobodan Millosheviç. Më 30 dhjetor 1991, ndodhi sulmi i parë ndaj familjes Jashari, dhe më pas një tjetër në janar 1998. Megjithatë, ata vazhduan të qëndronin dhe të luftonin për lirinë e atdheut.
Sulmi më tragjik ndodhi në datat 5-7 mars 1998, kur forcat serbe vranë 55 persona në fshatin Prekaz, përfshirë 22 anëtarë të ngushtë të familjes Jashari. Vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, dhe Besarta, vajza e Hamzës, arritën të shpëtonin nga kjo tragjedi, duke u bërë dëshmitarë të tmerrit që përjetuan anëtarët e familjes së tyre.
Ky është një moment reflektimi dhe nderimi për ata që dhanë jetën për liri, dhe çdo vit, këto aktivitete dhe homazhe ndihmojnë në mbajtjen gjallë kujtimit të Epopesë së UÇK-së dhe sakrificave të familjes Jashari.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd