

Chris Martin, këngëtari i ‘Coldplay’, po bashkëpunon me FIFA-n për të organizuar spektaklin e parë të ndërprerjes së finales së Kupës së Botës, një event i frymëzuar nga ‘Super Bowl Halftime Show’. Finalja e Botërorit 2026, që do të zhvillohet në ‘MetLife Stadium’ të New Jersey, i njohur si ‘New York New Jersey Stadium’ për këtë kompeticion, është planifikuar më 19 korrik 2026.
Përveç kësaj, FIFA po përgatit edhe një ‘pushtim’ të ‘Times Square’ për fundjavën e fundit të kompeticionit, ide kjo e presidentit Gianni Infantino. "Mund të konfirmoj se finalja e Kupës së Botës 2026 do të ketë ‘halftime show’-n e parë në histori, në bashkëpunim me ‘Global Citizen’. Ky do të jetë një moment historik për FIFA-n, spektakël i denjë për eventin më të madh sportiv në botë", – shkroi Infantino në Instagram pas një konference në Dallas.
Ai nuk e konfirmoi nëse ‘Coldplay’ do të performojnë, por sqaroi se Chris Martin dhe Phil Harvey (menaxheri i grupit) do të ndihmojnë në përzgjedhjen e artistëve të tjerë që do të marrin pjesë, si në shfaqjen e ndërprerjes (pushimit mes dy pjesëve të lojës), ashtu edhe në eventin e ‘Times Square’.
Ende nuk është e qartë nëse kjo do të zgjasë periudhën e zakonshme të pushimit prej 15 minutash në finale apo më shumë se kaq.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






