Transmetuar më 06-03-2025, 10:09

Lautaro Martinez vazhdon të shkruajë historinë e Interit. Me golin e tij për avantazhin 2-0 kundër Feyenoordit, në ndeshjen e parë 1/8 finale të Champions League, kapiteni zikaltër është bërë golashënuesi më i mirë në historinë e klubit zikaltër në këtë kompeticion (Champions League/Kupën e Kampionëve), duke arritur 18 gola, një më shumë se Sandro Mazzola.

Përveç kësaj, Lautaro ka vendosur edhe rekordin e tij personal për numrin më të madh të golave në një edicion të vetëm të kompeticionit, duke shënuar 6 herë deri tani.

"Krenaria është fjala e parë që më vjen në mendje, – tha Lautaro për “Prime Video”, pas ndeshjes. – Jam mirënjohës ndaj Interit, tifozëve, shokëve të skuadrës. Pa ta, nuk do t’i arrija këto suksese. Falënderoj familjen time në Argjentinë dhe atë në Itali, gruan dhe fëmijët e mi.

Flitet shumë për Interin, por ne luajmë çdo dy ditë prej 8 muajsh. Kemi një kalendar të ngjeshur, por zbresim gjithmonë në fushë për të dhënë maksimumin për këtë fanellë. Sonte kishim disa vështirësi në një repart, Bastoni e meritonte këtë vlerësim për sakrificën e bërë. Duhet ta përgëzojmë atë dhe gjithë ekipin.

Blasfemia? Unë jam një person që i respekton të gjithë. Këtë çështje e kam lënë pas. Kam sqaruar gjithçka, më akuzuan për diçka që nuk ishte e vërtetë. Unë e tregoj veten në fushë, ashtu siç më kanë mësuar që fëmijë.

E ardhmja? Do të më pëlqente të qëndroja tek Interi gjatë gjithë karrierës sime, jam shumë i lumtur këtu. E rinovova kontratën pas ‘Copa America’, megjithëse kisha shumë oferta në tavolinë. Vendosa të qëndroj, sepse këtu jam gjithmonë i lumtur. Çdo mëngjes zgjohem me gëzim për të shkuar në stërvitje. Edhe familja ime është e lumtur".

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit