

Trajneri i Interit, Simone Inzaghi, foli për “Inter TV” pas fitores 2-0 kundër Feyenoordit, në ndeshjen e parë të 1/8-ave të Champions League. Thuram dhe Lautaro Martinez ishin autorët e golave për zikaltërit, ndërsa Zielinski humbi një penallti.
Analiza e Inzaghit: "Djemtë bënë një ndeshje të shkëlqyer, pavarësisht vështirësive. Kemi kryer vetëm gjysmën e punës, tani na pret edhe ndeshja e kthimit, si dhe një sfidë shumë e rëndësishme në kampionat, përpara saj. Do të jetë thelbësore ta përgatisim siç duhet, ashtu siç bëmë sonte".
Trajneri zikaltër paralajmëroi se edhe në “San Siro”, skuadra e tij do të përballet me momente të vështira: "E dimë që do të duhet të përballojmë disa momente vuajtjeje, por do të përpiqemi të mbetemi të qetë dhe t’i menaxhojmë ato në mënyrën më të mirë të mundshme".
Inzaghi pranoi se disa mungesa kanë ndikuar, por ekipi ka treguar shpirt të madh sakrifice: "Po kalojmë një periudhë me mungesa në disa reparte, por skuadra ka reaguar në mënyrë të shkëlqyer. Djemtë janë përshtatur dhe kanë treguar një angazhim të jashtëzakonshëm. Disponueshmëria e tyre është gjëja më e rëndësishme dhe, ashtu si në këto tri vite e gjysmë, ata ishin sërish fantastikë".
Trajneri zikaltër vlerësoi edhe mbështetjen e tifozëve: "Shkuam t’i falënderonim pas ndeshjes, sepse edhe sonte ishin të jashtëzakonshëm. I kemi ndjerë fort, pavarësisht muzikës dhe atmosferës në stadium. Mbështetja e tyre është e çmuar, nuk na kanë lënë kurrë vetëm".
Inzaghi lartësoi edhe Bastonin për paraqitjen e mbrëmshme: "Është një nga më të mirët në botë, por u sakrifikua sonte në një rol jo natyral për të”.
Vlerësim pozitiv edhe për dyshen e mesfushës, Asllani dhe Zielinski: "Bënë atë që prisja prej tyre. Nuk kam pasur kurrë dyshime për ta, por një trajner është gjithmonë në pozicionin e marrjes së vendimeve, jo vetëm në ditën e ndeshjes. Megjithatë, bënë një paraqitje të shkëlqyer. Çalhanoglu dhe Mkhitaryan luajtën tri ditë më parë në Napoli, ndaj u përpoqa të ndryshoja pa e transformuar skuadrën. Do të vazhdoj të veproj kështu, sepse jemi të lumtur që luajmë kaq shumë ndeshje. Duhet të vazhdojmë kështu".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






