Transmetuar më 05-03-2025, 22:15

TIRANË- Jani Rustemi, 28 vjeç, u prangos më 13 prill 2023 pasi ishte shpallur në kërkim për vjedhjen e një tapeti dhe një palë atlete. Pas 24 orësh izolim në qelitë e paraburgimit tek ‘Mine Peza’ në Tiranë, ai u ndje keq. Pavarësisht problemeve shëndetësore, i riu doli para gjykatës të nesërmen dhe ndaj tij u vendos masa e sigurisë ‘arrest me burg’. Për shkak të mbipopullimit, ai nuk u transferua drejt burgut 313, por u rikthye përsëri në Bllokun e Sigurisë Tiranë.

Sipas njoftimit të policisë, më datë 17 prill ai shfaqi sërish probleme shëndetësore dhe u shtrua me urgjencë në QSUT. I riu ra në gjendje kome dhe ndërroi jetë thuajse një muaj më pas, më 20 maj. Pavarësisht se avokatët dhe familja e tij kanë nisur një betejë ligjore, edhe dy vite më pas është ende e paqartë se çfarë ndodhi me të riun.

Komiteti i Helsinkit që monitoroi rastin u shpreh asokohe, se 28-vjeçari i njohur si përdorues droge, një ditë pasi është futur në Bllokun e sigurisë është trajtuar me metadon, por në kartelën mjekësore të të riut, nuk rezulton të jetë kryer asnjë analizë mjekësore për gjendjen e tij dhe për vijimin e mjekimit edhe pse shfaqi komplikime. Pasi gjendja e tij u përkeqësua, ai është trajtuar me diazepam, por pa specifikuar dozën dhe pse u rekomandua ky mjekim.

Ngjarja ka ende shumë pikëpyetje duke shtuar paqartësitë tek familjarët. Ata ngrenë dyshime se i afërmi i tyre është neglizhuar nga të gjitha instancat, duke sjellë humbjen e jetës. Ai ishte izoluar në burg teksa kishte nevojë për mjekim. Pak ditë pasi gjendja e të birit u përkeqësua, e ëma ka bërë kallëzim për mostrajtim të denjë. Por, drejtësia nuk është bërë ende për të.

Për familjarët e vetmja gjë që do u sillte paqe është e vërteta. Pse i riu u izolua në qeli vetëm se vodhi një palë atlete dhe një tapet, teksa kishte nevojë për trajtim urgjent. Rasti duket i dyshimtë pasi edhe vetë kodi penal përcakton se për personat toksikomanë nuk mund të jepet masa e arrestit me burg, vetëm në rast se ata kanë kryer vepra shumë të rënda.

“Nëse dikush ka ndërruar jetë, është një alarm i madh për institucionin, shoqërinë civile, është shumë e rëndësishme të rregullojmë ligjin”, u shpreh Elsa Ballauri, aktiviste.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit