Transmetuar më 05-03-2025, 09:03

Tiranë, 5 mars 2025 – Mbyllet regjistrimi për diasporën për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Në orën 00:00 të 4 marsit, afati i caktuar për aplikimet për diasporën u mbyll, duke shënuar një total prej 294,025 kërkesash nga zgjedhësit jashtë Shqipërisë për të votuar në këto zgjedhje.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar 231,674 kërkesa, ndërkohë që 41,962 kërkesa janë refuzuar. Ndërsa 20,465 kërkesa janë ende në shqyrtim dhe Komisioni ka 5 ditë kohë për t’i shqyrtuar ato. Numri i të refuzuarve është ulur vetëm gjatë 5 orëve të fundit me 359 persona, pasi emigrantët që nuk ishin regjistruar si duhet kanë kërkuar asistencë telefonike nga KQZ dhe kanë korrigjuar aplikimet e tyre në minutat e fundit. Vetëm gjatë ditës së fundit të aplikimeve, më 4 mars, janë regjistruar 3,071 zgjedhës.

Lista paraprake me emra, mbiemra, qarqet ku do të votojnë dhe shtetet nga ku vijnë, do të publikohet më datën 9 mars. Për ata që janë në sistem dhe kanë pasaktësi në regjistër, KQZ do t’u japë 48 orë kohë për të kërkuar ndryshime.

Qarqet me numrin më të lartë të zgjedhësve:

Tirana: 49,370 zgjedhës (21.3% e totalit) Fier: 30,671 zgjedhës (13.2%) Durrës: 23,774 zgjedhës (10.3%) Elbasan: 23,650 zgjedhës (10.2%) Korçë: 19,579 zgjedhës (8.5%) Vlorë: 18,609 zgjedhës (8.0%) Shkodër: 16,362 zgjedhës (7.1%) Berat: 15,221 zgjedhës (6.6%) Lezhë: 13,751 zgjedhës (5.9%) Dibër: 8,983 zgjedhës (3.9%) Gjirokastër: 7,953 zgjedhës (3.4%) Kukës: 3,751 zgjedhës (1.6%)

Këto janë zgjedhësit e miratuar për t’u regjistruar për të votuar më 11 maj.

Ky proces përfaqëson një moment historik për Shqipërinë, pasi për herë të parë u mundësua votimi i diasporës në zgjedhjet parlamentare. Regjistrimi nisi më 11 janar dhe përfundoi më 4 mars. Gjatë procesit, Partia Demokratike kërkoi zgjatjen e afatit për regjistrimin, por nuk arriti të gjejë dakordësi në Komisionin Rregullator. Sidoqoftë, PS ishte dakord që afati të shtyhej vetëm për rreth 42 mijë të refuzuarit, që të mund të aplikonin saktë.

Për zgjedhjet e 11 majit, emigrantët do të mund të votojnë edhe me karta dhe pasaporta të skaduara, dhe posta për dërgimin dhe kthimin e zarfit do të jetë falas.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit