

Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, foli pas fitores 2-1 kundër Atletico Madridit në ndeshjen e parë të 1/8-ve finale të Ligës së Kampionëve.
Çfarë ndeshjeje ishte?
Ishte një ndeshje e hapur dhe e ekuilibruar, jo me shumë intensitet. E kontrolluam mirë në aspektin mbrojtës, por mund të bënim më shumë pas avantazhit, kur humbëm disa topa, nga të cilat ata përfituan për të krijuar disa raste. Objektivi ishte të merrnim një avantazh të vogël dhe e arritëm atë.
Mbappé nuk ishte në një mbrëmje të madhe…
Nuk ishte në formën më të mirë, por edhe ai e bëri punën e tij. Nuk është e lehtë të luash kundër një mbrojtjeje shumë të ngjeshur si ajo e Atletico Madridit.
Mesfusha në pjesën e parë nuk kishte shumë cilësi…
Është e qartë që Tchouameni dhe Camavinga nuk kanë cilësinë e Modric, por objektivi ynë ishte ta mbanim skuadrën kompakte dhe ia dolëm. Pastaj, me hyrjen e tij në fushë, Modric i dha më shumë cilësi lojës sonë.
A flitet shumë pak për Rodrygo?
Rodrygo është një lojtar fantastik. Ai arrin të kombinojë cilësinë me një punë që na ndihmon shumë.
Cili ishte plani juaj i lojës?
Plani fillestar ishte të luanim nga krahët me Vini dhe Rodrygo, për të sulmuar. Na doli mirë në aksionin e parë, por më pas humbëm durimin dhe u përpoqëm të shpejtonim lojën në vend që të ndiqnim të njëjtin model, duke i mbajtur kundërshtarët të mbyllur në gjysmëfushën e tyre. Skuadra punoi mirë, mbrojtëm siç duhej. Atletico Madridi pati kontrollin në disa momente, por nuk krijoi shumë raste.
Si e prisni ndeshjen e kthimit në “Metropolitano”?
Ndeshja ishte e vështirë sot, imagjinoni të mërkurën si mund të jetë… Kemi një avantazh të vogël dhe duam të kalojmë më tej. Do të jetë një ndeshje e luftuar, Atletico Madridi do të shtojë presionin, por do të jetë e balancuar. Cilësia e të dyja ekipeve është shumë e lartë. Po luajmë në 1/8 finale, por kjo përballje mund të ishte fare mirë një gjysmëfinale apo finale. As ne nuk jemi të lumtur që luajmë kundër Atletico Madridit, as ata nuk janë të kënaqur që na kanë përballë në këtë fazë.
A do të rikthehet Brahim në stol?
Nuk është e vërtetë që do të ulet në stol. Nuk mund të them se është i pazëvendësueshëm, por është shumë i rëndësishëm për ne. Shfrytëzon çdo minutë që i jap dhe do të luajë sa herë që më nevojitet.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






