Transmetuar më 05-03-2025, 02:19

Udhëheqësit e vendeve arabe kanë miratuar një plan egjiptian për rindërtimin e Gazës, i cili kap vlerën e 53 miliardë dollarëve dhe shmang zhvendosjen e popullsisë palestineze, në kundërshtim me vizionin e presidentit amerikan Donald Trump për një “Rivierë të Lindjes së Mesme”.

Vendimi u bë i ditur gjatë një samiti në Kajro, ku presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi njoftoi se propozimi ishte pranuar nga të gjitha palët pjesëmarrëse.

Në fjalën e tij, Sisi shprehu besimin se Trump do të arrinte një marrëveshje paqeje për konfliktin e vazhdueshëm në Gaza dhe theksoi se Egjipti ka punuar ngushtë me palestinezët për krijimin e një komiteti administrativ të përkohshëm të teknokratëve, i cili do të menaxhonte rindërtimin dhe punët e përditshme të Rripit të Gazës, duke përgatitur terrenin për rikthimin e Autoritetit Palestinez (AP) si strukturë qeverisëse.

Sfida për të ardhmen e Gazës dhe roli i Hamasit

Një çështje kyçe në këtë plan mbetet fati i grupit militant Hamas, i cili shkaktoi luftën aktuale me sulmin e tij kundër Izraelit më 7 tetor 2023. Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli insistojnë për çmilitarizimin e plotë të Hamasit si parakusht për çdo plan rindërtimi, ndërsa shtetet arabe po shqyrtojnë qasjen më të kujdesshme.

Presidenti palestinez Mahmoud Abbas, i cili kryeson Autoritetin Palestinez, e mbështeti planin egjiptian, duke theksuar se ai është i gatshëm për të zhvilluar zgjedhje të reja presidenciale dhe parlamentare, me qëllim që qeverisja e territoreve palestineze të bëhet mbi baza legjitime dhe demokratike.

Financimi dhe garancitë ndërkombëtare

Për të realizuar planin, nevojiten miliarda dollarë investime, me pritet që shtetet e pasura të Gjirit, si Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të jenë kontribuuesit kryesorë. Sidoqoftë, këto vende kërkojnë garanci që armëpushimi aktual do të mbahet dhe se Hamas do të reduktojë praninë e tij ushtarake në Gaza. Ministri i Jashtëm saudit, Princi Faisal bin Farhan, theksoi në samit se garancitë ndërkombëtare janë të domosdoshme për të siguruar që konflikti të mos rifillojë.

Një alternativë ndaj planit të Trump

Shtetet arabe, përfshirë Egjiptin dhe Jordaninë, kanë punuar për gati një muaj për të propozuar një alternativë ndaj planit të Trump, i cili synon zhvendosjen e palestinezëve dhe rindërtimin e Gazës sipas një modeli ekonomik amerikan. Një draft i komunikatës përfundimtare të samitit refuzon prerazi çdo përpjekje për zhvendosjen masive të palestinezëve.

Plani egjiptian për rindërtimin e Gazës është një dokument prej 112 faqesh, i cili përmban harta dhe projekte të ilustruara nga inteligjenca artificiale, duke përfshirë një port komercial, një qendër teknologjike, hotele në plazh dhe një aeroport.

Pozicioni i Izraelit dhe Hamasit

Izraeli nuk ka shprehur kundërshtime të drejtpërdrejta për një entitet arab që do të menaxhojë rindërtimin e Gazës, për sa kohë që Hamasi nuk do të ketë rol qeverisës apo ushtarak. Një zyrtar izraelit i tha Reuters se çdo plan duhet të përfshijë çmilitarizimin e menjëhershëm të Hamasit, pasi çdo zgjidhje tjetër do të ishte e papranueshme për Izraelin.

Nga ana tjetër, zyrtari i lartë i Hamasit, Sami Abu Zuhri, refuzoi çdo përpjekje për çarmatosje, duke deklaruar se e drejta e Hamasit për të rezistuar është e panegociueshme. Grupi ka refuzuar çdo lloj administrimi jo-palestinez dhe çdo prani të forcave të huaja në Gaza.

Pavarësisht pozicioneve të ndryshme, shtetet arabe duket se po kërkojnë një zgjidhje që do të lejojë rindërtimin e Gazës pa ndërlikime të mëdha politike dhe pa zhvendosje të detyruar të popullsisë, duke u përballur me sfidën e gjetjes së një ekuilibri midis kërkesave të Izraelit, Shteteve të Bashkuara dhe fraksioneve të ndryshme palestineze. /noa.al me të dhënat nga Reuters

Foto: Bashar Taleb/AFP

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit