Transmetuar më 04-03-2025, 11:19

Në një intervistë për “UEFA.com”, sulmuesi i Barcelonës, Lamine Yamal, ka folur për ndryshimet që ka kaluar brenda një viti dhe si është rritur si lojtar: "Kam ndryshuar shumë. Tani kam më tepër besim dhe bëj më shumë gjëra se më parë. Më parë luaja më thjeshtë, bëja atë që duhej në çdo moment. Tani përpiqem të argëtohem më shumë dhe të frymëzohem nga vetvetja, duke bërë atë që ndiej se duhet të bëj në çdo moment. Mendoj se luaj me më shumë besim".

Lamine theksoi se nuk është i fokusuar tek statistikat: "Çelësi është të mendoj për të bërë më të mirën për ekipin dhe veten. Nuk jam një lojtar që shikon shumë statistikat, luaj për t’u argëtuar, për të argëtuar njerëzit dhe për të fituar, natyrisht. Nuk më shqetëson nëse dikush ka më shumë apo më pak gola apo driblime se unë. Kur shoh një ndeshje të një ekipi tjetër, dua të argëtohem, dua të shoh lojtarë që shfrytëzojnë mundësinë për t’i dribluar kundërshtarët… Kjo është ajo që përpiqem të bëj, që njerëzit të shohin një ndeshje argëtuese kur vijnë në stadium. Në fund të fundit luaj futboll për t’u argëtuar vetë dhe për t’i argëtuar të tjerët".

Për trajnerin e tij, Flick, talenti 17-vjeçar nënvizoi: "Ai është një person shumë i sjellshëm, me të cilin mund të flasësh lirshëm. Të pyet si je, të mëson shumë, kam mësuar shumë prej tij. Kjo bën që ai të respektohet si trajner dhe si person. Është ashtu siç e shihni, i rreptë, por njëkohësisht di të kuptojë se çfarë ka nevojë çdo lojtar në çdo moment. Kur bëhet fjalë për konceptet mbrojtëse, më kërkon disa gjëra, por në fazën sulmuese nuk më thotë shumë, vetëm të argëtohem dhe mjafton. Ky është besimi që na jep".

Për fitimin e Europianit 2024: "Më parë isha si një fëmijë, por që nga fitimi i Europianit, gjithçka ka ndryshuar. Nuk dukem më si një fëmijë, kam më shumë besim. Kur fiton një titull, të gjithë lojtarët bëjnë një hap përpara dhe kjo duket. I mbaj mend fragmentet e golit kundër Francës. Pashë që topi goditi shtyllën dhe hyri brenda. Mbaj mend festimin dhe që nëna ime po qante në tribunë.

Garat e mëdha? Ekzistojnë dy kompeticione në të cilat, nëse shënon një gol, je shumë më i lumtur se në të tjerat, dhe ato janë Liga e Kampionëve dhe Kupa e Botës. Janë dy garat më të rëndësishme. Kur intonohet himni i Ligës së Kampionëve, të gjithëve iu ngjethet mishi i trupit. Kam shënuar kundër Monacos dhe Atalantës, nuk e kisha përjetuar kurrë atë ndjenjë, vetëm në Europian me golin kundër Francës".

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit