Transmetuar më 03-03-2025, 20:15

Në një atmosferë tejet miqësore, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Ilir Proda priti sot në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës Kolonel Gazmend Hoxha dhe drejtues të strukturave të njësive speciale të Policisë së Kosovës.

Vizita u zhvillua në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërmjet 2 policive, si dhe të shkëmbimit të eksperiencave dhe praktikave më të mira.

Gjatë takimit drejtuesit e policive simotra u dakordësuan për një bashkëpunim tërësor dhe pa barriera, i cili duhet të kulmojë gjatë sezonit veror 2025.

Gjithashtu, u dakordësua për shtim të skuadrave të përbashkëta hetimore dhe aksioneve të përbashkëta policore, të cilat do të rezultojnë me parandalimin dhe goditjen e trafiqeve të armëve, lëndëve narkotike dhe qenieve njerëzore.

Më pas, delegacioni i Policisë së Kosovës vizitoi ambientet e Njësisë Speciale “RENEA” dhe Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Tiranë.

Delegacioni u prit dhe nga drejtuesit dhe punonjësit e 2 njësive speciale. Këto vizita u realizuan për të parë nga afër organizimin, përvojën, si dhe metodologjitë e përdorura nga këto struktura të rëndësishme të Policisë së Shtetit, konkretisht: gjatë operacioneve të kërkim-shpëtimit, gjatë menaxhimit të situatave emergjente, si dhe gjatë operacioneve policore kundër terrorizmit dhe për rastet e pengmarrjeve.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit