Transmetuar më 03-03-2025, 10:42

Trajneri Rúben Amorim tha se objektivi i Manchester United është ende fitorja e Premier League, pavarësisht se legjenda e klubit, Wayne Rooney, e cilësoi këtë si "naivitet".

“Djajtë e Kuq”, që nuk e kanë fituar titullin nga viti 2013 me Sir Alex Ferguson në stol, aktualisht renditet në vendin e 14-të dhe u eliminuan nga “FA Cup” të dielën, pas humbjes me penallti ndaj Fulhamit.

Amorim, i cili mori drejtimin e klubit të “Old Trafford” në nëntor, theksoi se pavarësisht vështirësive, synimi mbetet i njëjti: "E di që po humbasim ndeshje, por objektivi është të rikthehemi dhe të fitojmë Premier League. Nuk e di sa kohë do të na duhet, por do të vazhdojmë përpara, pavarësisht çdo gjëje".

Ish-sulmuesi i Manchester United, që ka fituar pesë herë titullin e Premier League, nuk e sheh të mundur një sukses të afërt për “Djajtë e Kuq”: "Mendoj se është pak naive të thuash se Manchester United synon të fitojë Premier League. Ata janë shumë larg këtij objektivi për momentin. Hapi i radhës duhet të jetë ngjitja në klasifikim".

I pyetur për deklaratat e Rooney, trajneri Amorim u përgjigj me qetësi, duke theksuar se klubi nuk i vendos vetes afate kohore të sakta për t’u rikthyer në majën e futbollit anglez: "Ky është objektivi. Naivitet do të ishte të mendoja se do ta bëjmë këtë sezon, ose që do të jemi pretendentët kryesorë sezonin tjetër. Megjithatë, unë nuk jam budalla.

Mbase nuk do të ndodhë me mua si trajner, por qëllimi i Manchester United është të fitojë Premier League, ashtu si në të kaluarën me legjendat e mëdha të këtij klubi. E di që jemi në një moment të vështirë, por për këtë arsye jam këtu, duke drejtuar Manchester United në moshën 40-vjeçare".

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit