

Trajneri Fabio Capello analizoi ndeshjen mes Napolit dhe Interit (1-1) në faqet e “Gazzetta dello Sport”: "Interi mbetet ende kryesues dhe rezultati i jep forcë. Ndërkohë, Napoli ishte në disavantazh, rrezikoi të humbiste, por në fund arriti barazimin duke dominuar ndeshjen.
Përtej zhgënjimit për rezultatin, kjo është një shtysë e madhe për besimin. Conte e di që ka në dorë një grup që do të luftojë deri në fund për titullin dhe tani e ndjek atë me më shumë vendosmëri".
Duke vazhduar analizën e tij, Capello shtoi: "Vura re një diferencë të dukshme në aspektin fizik. Napoli ishte më i freskët, ndërsa Interi vuajti shumë. Pashë pak konfuzion në lojën e Interit, dukej sikur nuk arrinte të orientohej si duhet. Nuk më bindën as zëvendësimet e Inzaghit.
Ai preferoi të hidhte në fushë Correa në vend të Arnautovic, i cili vinte nga një gol spektakolar kundër Lazios në Kupën e Italisë. Gjithashtu, dalja e Bastonit më habiti, nuk më dukej as i kënaqur me zëvendësimin…"
Duke folur për Napolin, Capello përfundoi: "Më pëlqen Billing, ka personalitet dhe depërtime të mira. Edhe kundër Comos më kishte lënë një përshtypje të mirë, e konfirmoi veten ndaj zikaltërve. Këto janë sinjale të rëndësishme.
Conte e di që mund të mbështetet edhe tek ata që luajnë më pak. Mos harrojmë që Napoli dhe Atalanta mund të përqendrohen vetëm te një objektiv, titulli. Ky është një avantazh i madh për ta, edhe Atalanta mund të buzëqeshë, sepse mbetet në garë”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






