

Julián Álvarez, autori i golit të fitores për Atlético Madridin në ndeshjen kundër Athletic Club, analizoi sfidën për “LaLigaTV”: "Ishte një fitore shumë e rëndësishme, e dinim që nuk do të ishte e lehtë, por tani jemi në krye. Krijuam shumë raste dhe e menaxhuam mirë ndeshjen, edhe pse nuk ishte e thjeshtë.
Goli erdhi dhe arritëm ta ruanim avantazhin. Personalisht ndihem shumë mirë këtu, njerëzit e klubit më kanë dhënë gjithë dashurinë e tyre. Gjëja më e rëndësishme është ekipi, por golat e rrisin shumë besimin. Gara për titull? Ende po luftojmë, rruga është e gjatë, por me punë dhe përulësi do të fitojmë edhe më shumë ndeshje".
Duhet pranuar se sulmuesi argjentinas po bëhet gjithnjë e më vendimtar në ekipin e Diego Simeones. Nga ana e tij, Rodrigo De Paul e ka pritur me entuziazëm fitoren e Atlético Madridit ndaj Athletic Club. Mesfushori argjentinas u shpreh për “LaLigaTV”: "Jemi të kënaqur, puna po jep frytet e veta. Kemi vuajtur, kemi luajtur kundër një skuadre të madhe, që di t’i bëjë gjërat shumë mirë. Goli erdhi, e mbrojtëm dhe jemi të lumtur".
Më pas foli për bashkëkombësin e tij, Julián Álvarez, i cili vazhdon të jetë vendimtar: "Kur klubi shkoi ta kërkonte, e dinte mirë çfarë po bënte. Është një lojtar i madh, ka ADN-në e duhur për të luajtur në këtë ekip. Ndonjëherë duhet kohë për t’u përshtatur në një mjedis dhe klub të ri, por për të ishte e lehtë. E meriton plotësisht”.
Sa i përket kalendarit të ngjeshur, argjentinasi shtoi: “Ka lodhje të madhe, bëjmë gjithçka për t’u rikuperuar, por nuk është e lehtë, sidomos kur përballesh me ekipe të nivelit më të lartë".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






