

Sergio Conceiçao nuk tërhiqet dhe nuk ka ndërmend të dorëzohet, pavarësisht se Milani pësoi humbjen e tretë radhazi dhe tashmë është 9 pikë larg zonës Champions: "Është një moment aspak i lehtë. Lojtarët ndiejnë gjithçka që ndodh rreth tyre (protestat e tifozëve), por unë njoh vetëm një rrugë për të dalë nga kjo situatë: të punojmë dhe të ndiejmë krenari për ngjyrat që mbrojmë. Duhet të japim maksimumin çdo ditë për ta ndryshuar këtë situatë. Nuk më pëlqen të flas për fatin, por ka episode gjatë ndeshjeve që kthehen në vendimtare për kundërshtarët".
Pavarësisht disfatës, klubi e mbështet atë. Moncada dhe Ibrahimovic kanë folur me skuadrën në dhomat e zhveshjes për të qetësuar situatën. Tekniku portugez foli për DAZN mbi vështirësitë mentale të skuadrës: "Kemi diskutuar së bashku për atë që po ndodh në ambientin rreth klubit, është një situatë e çuditshme dhe nuk më ka ndodhur më parë.
Lojtarët e ndiejnë këtë peshë. Dhe kur ndodhin gjëra të tilla, këpucët të djegin këmbët, gjithçka bëhet më e vështirë. Nuk të del driblimi, nuk të del pasimi, pastaj kundërshtari shënon dhe e gjen veten në disavantazh. Në stërvitje lojtarët më japin përgjigje pozitive, por ndeshja është tjetër gjë. Po përpiqemi të punojmë edhe nga ana psikologjike".
Gjithsesi, Conceiçao theksoi edhe një aspekt pozitiv: "Ekipi tregoi karakter dhe dëshirë për ta ndryshuar situatën. Barazuam me 10 lojtarë dhe mund të kishim fituar, i patëm rastet tona. Pastaj erdhi ajo penallti…"
Sa i përket aspektit taktik, portugezi shtoi: "Na duhen soliditet dhe kompaktësi për të shmangur rrezikun nga kundërshtarët. Skuadrat e mia kanë qenë gjithmonë të tilla. Kur erdha këtu, gjeta një grup me karakteristika të ndryshme, por duhet të krijojmë ekuilibrin e duhur".
Në konferencën për shtyp, trajneri kuqezi u shpreh i zhgënjyer: "Kjo situatë më dhemb, sepse gjithmonë kam qenë i mësuar të fitoj, të luftoj për fitore. E ardhmja ime? Këtu rëndësi ka Milani, jo unë. I mbroj lojtarët e mi, sepse shoh që më ndjekin".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






