

Tiranë- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mobilizuar përsëri strukturat e partisë që të grumbullohen sot para Prokurorisë së Posaçme, ku ai do paraqitet sipas masës që ka vendosur Apeli i GJKKO për aferën në dosjen "Partizani".
Teksa prej kohësh po sillet me standard të dyfishtë politik, ku kundërshtarët i akuzon për protesta të dhunshme te SPAK, vetë i thërret militantët dhe i organizon nëpërmjet mesazheve në protesta, duke i cilësuar si “paqësore”.
E njëjta gjë ndodh edhe me akuzat ndaj SPAK, ku prej kohësh kërcënon kreun e Prokurorisë Altin Dumani dhe pretendon se ka fakte dhe prova në akuzat e tij, por në krahun tjetër drejton gishtin nga kryeministri Edi Rama për kritikat e fundit që i ka bërë SPAK-ut për arrestimin pa gjyq të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliajn.
Madje protestën paqësore që u bë para SPAK për Veliajn gjatë masës së sigurisë në GJKKO e cilësoi të dhunshme, kërcënuese dhe të paligjshme, teksa sot (3 Mars) ka mobilizuar strukturat e tij për tubim para godinës, meqë ka edhe ditën e zbatimit të masës “detyrim paraqitjeje”.
“Ditën e Hënë, në ora 09:30, sërish kryetari i PD, Sali Berisha, do jetë në dyert e SKAP it. Ju lutem pjesëmarrja është me rëndësi. Në ora 09:30 përpara selisë së SKAP-it”, thuhet në tekstin e shkurtër të mesazhit drejtuar strukturave.
Ky standard i dyfishtë i kreut të selisë blu, të kujton shprehjen "bëni siç them unë dhe mos bëni siç bëj unë!".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






