

Shqipërisë do t’i kushtojë rreth 7.6 miliardë euro përmbushja e të gjitha kritereve për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Një dokument i politikave prioritare të qeverisë, i datës 12 shkurt, analizon në 70 faqe nevojat dhe reformat që duhen zbatuar gjatë bisedimeve të anëtarësimit.
Ekspertët e vlerësojnë këtë shifër si realiste dhe të përafërt me llogaritjet e tyre.
Si u llogarit shifra e integrimit?
Sipas ekspertit fiskal Eduart Gjokutaj, kjo kosto është përllogaritur bazuar në të dhëna nga burimet buxhetore të Shqipërisë, fondet e Bashkimit Evropian dhe partneritetet për zhvillim.
"Llogaritjet janë bazuar në kostot praktike dhe duke marrë parasysh të gjithë faktorët që përcaktojnë një çmim të caktuar. Këto janë shpenzime të domosdoshme për plotësimin e standardeve evropiane në fusha të ndryshme," – shpjegon ai.
Zvarritja e procesit rrit faturën e integrimit
Një faktor kyç që ndikon në rritjen e kostove është kohëzgjatja e procesit të integrimit. Sipas Gjokutajt, vonesat kushtojnë shumë më tepër se sa përfitimi nga kursimet e një procesi të shpejtë.
"Zvarritja është problemi më i madh. Përfshin kosto më të larta në infrastrukturë, shpenzime në digjitalizim dhe reforma të rëndësishme si ajo në sistemin e drejtësisë," – thekson eksperti fiskal.
Kosto e lartë për më pak popullsi
Një tjetër faktor që ka ndikuar në përllogaritjen e kostove është raporti me popullsinë. Me rënien e numrit të banorëve sipas të dhënave të fundit të censusit, Shqipëria detyrohet të investojë më shumë për më pak qytetarë.
"Shpenzimet për frymë janë rritur sepse duhet të përmbushen standardet e BE-së pavarësisht reduktimit të popullsisë," – sqaron Gjokutaj.
Sektori me koston më të lartë: Energjetika kryeson me 1.5 miliardë euro
Përllogaritjet e bazuara në 24 dokumente strategjike tregojnë se fushat më të kushtueshme për integrimin janë:
Energjetika (Strategjia Kombëtare 2015-2030) – 1.5 miliardë euro
Shëndetësia – 1.3 miliardë euro
Politikat sociale – 1.2 miliardë euro
Arsimi – 1.1 miliardë euro
Pavarësisht kostos së lartë, ekspertët theksojnë se integrimi në BE mbetet një domosdoshmëri, jo vetëm si një objektiv politik, por edhe për zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e cilësisë së jetesës në vend. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






