Transmetuar më 01-03-2025, 21:34

Prokuroria e Posaçme dhe Policia e Shtetit kanë realizuar një operacion të gjerë në disa qytete të Shqipërisë, duke goditur grupe kriminale të përfshira në trafikun e drogës. Gjatë operacionit, janë lëshuar rreth 10 masa sigurie të firmosura nga Gjykata e Posaçme, pas kërkesës së SPAK. Operacioni ka prekur disa qytete të vendit, përfshirë Tiranën, Kukësin, Fierin, Vlorën, Gjirokastrën dhe Sarandën.

Sipas burimeve, katër nga masat e sigurisë janë për oficerë të policisë. Janë arrestuar tre efektivë policie, ndërkohë që një tjetër është shpallur në kërkim. Një prej të arrestuarve është Shkëlzen Ruska, shefi i Krimeve në Himarë, i cili akuzohet për kultivim kanabisi, pjesëmarrje në grup kriminal të strukturuar, shpërdorim detyre dhe veprime të tjera të kryera nga organizata kriminale.

Po ashtu, është arrestuar edhe Ervis Alisinanaj, shefi i Krimeve në Komisariatin e Lushnjes, i cili përballet me akuzat e të njëjtave vepra penale, si dhe për ushtrimin e ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve të tjerë publikë.

Shefi i Komisariatit të Policisë Kufitare në Sarandë, Elvis Dërvishi, është shpallur në kërkim dhe akuzohet për “trafikim narkotikësh”, “grup të strukturuar kriminal”, “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “shpërdorim detyre”.

Erdit Hazizaj është i katërti person për të cilin ka urdhër arresti. Ai ishte larguar nga policia në vitin 2022. Akuzat ndaj tij përfshijnë trafik droge, kultivim bimësh narkotike dhe përfshirje në grupe kriminale.

Hetimet e SPAK kanë nisur prej kohësh për këta efektivë, pasi janë zbuluar lidhjet e tyre me bandat kriminale përmes aplikacioneve të koduara si Sky Ecc, ku është provuar se ata ishin të përfshirë në veprimtari kriminale që lidhen me narkotikët dhe më gjerë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit