

Drejtori teknik i Juventusit, Cristiano Giuntoli, ka dalë hapur për të folur një ditë pas eliminimit të bujshëm të Juventusit nga Kupa e Italisë ndaj Empolit. Njeriu i merkatos bardhezi ka dhënë këto deklarata për “Sky Sport”:
Fjalët e Thiago Mottës pas eliminimit ishin shumë të ashpra. Si i vlerësoni dhe i komentoni ato?
Jemi në një linjë me ato që tha trajneri. Performanca ndaj Empolit ishte e papranueshme, këtë e di skuadra, trajneri dhe gjithashtu ne si klub. Pas ndeshjes u takuam me Scanavino, Ferrero dhe Thiago Motta dhe, me mendje të ftohtë, folëm me ekipin. Jemi të gjithë të bindur, lojtarët të parët, se mund të bëjmë më shumë për ta arritur objektivin e panegociueshëm, kualifikimin në Champions League, në fund të sezonit.
A është ende e sigurt pozita e Thiago Mottës?
Ne jemi të bindur se projekti i nisur këtë verë është i rëndësishëm, që po krijon vlerë me shumë të rinj të aktivizuar dhe në të ardhmen do të na sjellë kënaqësi të mëdha. Motta nuk është në diskutim.
Si mund të shpjegohet një ndeshje si ajo ndaj Empolit?
Ishte një ndeshje pothuajse e pashpjegueshme. Vinim nga 4 fitore radhazi në kampionat dhe nuk prisnim një paraqitje të tillë. Jemi të zhgënjyer dhe të zemëruar. Jemi të bindur se projekti ynë është i duhuri, e dinim që do të hasnim vështirësi, të cilat janë theksuar edhe nga dëmtimet, por besojmë se jemi në rrugën e duhur. Kjo rrugë do të na sjellë rezultate në të ardhmen.
Thiago Motta foli për lojtarë që kërkojnë shumë, por nuk japin gjë në fushë…
Ai dëshironte t’i rikthente ekipit ndjenjën e përgjegjësisë, nuk e kishte me ndonjë lojtar specifik, por me të gjithë skuadrën.
A janë blerjet e verës si Koopmeiners dhe Nico Gonzalez një zhgënjim?
Kemi bërë shumë ndryshime, kemi marrë shumë lojtarë dhe kemi investuar në profile ndërkombëtare që në të kaluarën kanë bërë paraqitje të shkëlqyera me ekipet e tyre. Jam i bindur se do të tregojnë vlerat e tyre edhe këtu në të ardhmen.
Thiago Motta tha gjithashtu se ndjehet përgjegjës. A ndjehet edhe klubi përgjegjës?
Klubi është gjithmonë përgjegjës për atë që ndodh. Jemi përgjegjës para pronarëve dhe para tifozëve.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





