Transmetuar më 28-02-2025, 09:54

Tiranë, 28 shkurt 2025– Nesër, më 1 mars, do të nisë muaji i shenjtë i Ramazanit, gjatë të cilit besimtarët myslimanë do të agjërojnë për një muaj të plotë. Në prag të këtij muaji, kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu, ka shpërndarë një mesazh për shqiptarët, duke i uruar ata për një Ramazan të begatë dhe të paqtë.

Spahiu theksoi se ky muaj na fton të ndalemi dhe të reflektojmë mbi mirësitë e panumërta që Zoti na ka dhuruar, duke e cilësuar Ramazanin si një mundësi për të kultivuar durimin, për t’u lidhur më ngushtë me Kuranin dhe për të rrezatuar dashuri ndaj të tjerëve. Ai shtoi se ky është gjithashtu muaji i solidaritetit dhe i vëllazërisë, që na kujton përgjegjësinë për ata që kanë nevojë për ndihmën tonë dhe na fton të tregojmë bujari, dhembshuri dhe kujdes për më të dobëtit.

Në mesazhin e tij, Spahiu u bëri thirrje besimtarëve që gjatë këtij muaji të forcojnë jo vetëm lidhjet me familjen dhe të afërmit, por edhe me shoqërinë në tërësi, duke e bërë komunitetin më të ndjeshëm dhe më të bashkuar. Ai gjithashtu u lut që ky muaj të sjellë begati, paqe dhe harmoni në familjet dhe shoqërinë tonë.

MESAZHI I PLOTË:

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, uron të gjithë besimtarët për një muaj Ramazani sa më të paqtë e të begatë!

Të nderuar vëllezër dhe motra besimtare,

Nesër, më 1 mars, fillon muaji i shenjtë i Ramazanit, një muaj i bekuar reflektimi, përkushtimi dhe pastrimi shpirtëror. Me zemrën plot mirënjohje ndaj Krijuesit të gjithësisë, i Cili na mundësoi ta arrijmë sërish këtë muaj të shenjtë, ju përcjell urimet më të përzemërta për një agjërim të lehtë dhe të pranuar, si në emrin tim personal, po ashtu edhe në emër të institucionit që unë drejtoj.

Ky muaj na fton të ndalemi dhe të reflektojmë mbi mirësitë e panumërta që Zoti na ka dhuruar. Është një mundësi e artë për të shprehur falënderim ndaj Tij, për të kultivuar durimin, për të rivitalizuar lidhjen tonë me Kuranin Famëlartë dhe për të rrezatuar dashuri ndaj të tjerëve.

Ramazani është gjithashtu muaji i solidaritetit dhe i vëllazërisë. Ai na kujton përgjegjësinë tonë ndaj atyre që kanë nevojë për ndihmën tonë dhe na fton të tregojmë bujari, dhembshuri dhe kujdes për më të dobëtit.

Në këtë muaj të shenjtë, le të forcojmë jo vetëm lidhjet tona me familjen dhe të afërmit, por edhe me shoqërinë në tërësi, duke e bërë komunitetin tonë më të ndjeshëm dhe më të bashkuar. Allahu (xh.sh.) thotë në Kur’an: "O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu siç u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat." (Sureja El-Bekare, ajeti 183)

Ky mesazh hyjnor na rikujton se agjërimi nuk është vetëm një sakrificë fizike, por një proces i thellë shpirtëror, që synon ndërtimin e një personaliteti të qëndrueshëm, të devotshëm dhe të mbushur me vlera të larta morale.

Të dashur besimtarë shqipfolës, kudo që jetoni e punoni, uroj që ky muaj i shenjtë të sjellë begati, paqe dhe harmoni në familjet tona dhe në mbarë shoqërinë.

Lusim Allahun Fuqiplotë që të na japë forcë, përkushtim dhe sinqeritet për ta jetuar këtë muaj në mënyrën më të mirë të mundshme, duke përfituar nga mirësitë dhe begatitë e tij të shumta.

Gëzuar muajin e bekuar të Ramazanit!

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit