

iranë, 27 shkurt 2025 – Më 2 mars 2025, do të mbahet në Athinë Panairi i Punës “Puno dhe jeto aty ku ke zemrën”, i cili ka për qëllim lidhjen e sipërmarrësve dhe bizneseve shqiptare me shqiptarët që jetojnë në Greqi. Ky aktivitet do të ofrojë mundësi punësimi dhe zhvillimi për emigrantët shqiptarë dhe do të jetë i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama.
Përmes një postimi në Facebook, Rama ka njoftuar pjesëmarrjen e tij në këtë panair, duke shkruar: “Të dielën më keni në Eladha, po ju që jeni jashtë shikojeni pak këtë ju lutem Dhe mbrëmje të këndshme të gjithëve.” Kryeministri Rama do të jetë në Athinë për të inkurajuar iniciativat dhe mundësitë që po ofrohen për diasporën shqiptare.
Në një video të shpërndarë në rrjetet sociale, Rama gjithashtu ka shpjeguar mënyrën e aplikimit për emigrantët që duan të regjistrohen në Platformën e Regjistrimit për Emigrantët (PER) në KQZ, për t’u mundësuar atyre të votojnë më 11 maj 2025, nga vendet ku ata jetojnë.
“Një porosi kam unë për shumë kënd në diasporë që nuk i është aprovuar regjistrimi,” thotë Rama në video. “Është bllokuar, sepse e kanë vendosur kartën nga kjo anë e kartës, por adresa është nga pjesa e pasme e kartës. Do u lutesha shumë emigrantëve që nuk u është aprovuar kërkesa në platformën e KQZ, që duhet ta vendosin kartën nga pjesa e pasme, ku është edhe adresa,” sqaroi Rama.
Ky aktivitet i Kryeministrit në Athinë është një mundësi tjetër për të forcuar lidhjet e diasporës me atdhenë dhe për të siguruar më shumë mundësi për punësim dhe investime në Shqipëri për ata që jetojnë jashtë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





