

TIRANË- Kryeministri dhe kryetari i PS-së, Edi Rama, gjatë një takimi me asambletë socialiste në Tiranë, deklaroi se drejtësia në Shqipëri duhet të jetë e pavarur, profesionale dhe në standardet europiane, duke kritikuar ashpër praktikat e paraburgimit pa vendim gjyqësor.
Ai tha se qeveria e tij ka qenë e para që ka hequr duart e politikës nga drejtësia, për të garantuar një sistem të pavarur, por nënvizoi se përveç pavarësisë, drejtësia duhet të jetë profesionale dhe e drejtë.
"Duam drejtësi europiane, jo drejtësi si në Rusi. Duam drejtësi me vendim të formës së prerë, jo drejtësi me paraburgim pa gjyq", u shpreh Rama, raporton noa.al.
Në fjalën e tij, ai kritikoi ashpër sulmet ndaj qeverisë lidhur me SPAK-un, duke i quajtur "spekulime të kënetës politike dhe mediatike". Rama tha se opozita përdor akuza të pabaza për të sulmuar mazhorancën, ndërsa qeveria ka garantuar që drejtësia të veprojë pa ndërhyrje politike.
"Drejtësia nuk është vetëm shpatë, por edhe peshore. Peshorja duhet të peshojë provat, jo thashethemet dhe denoncimet e bufit të kënetës politike", tha ai.
Kryeministri ripërsëriti se të gjithë janë të pafajshëm derisa të provohet e kundërta, dhe se drejtësia nuk duhet të funksionojë me parimin "të gjithë janë fajtorë".
Ai përfundoi duke theksuar se qeveria e tij do të vazhdojë të mbështesë një drejtësi të pavarur, por pa devijime nga standardet demokratike dhe europiane. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





