

Detaje të reja vijojnë të dalin në dritë nga hetimet e kryera mbi vetëvrasjen e 17-vjeçares Irsa Muçollari në Gjirokastër më datë 10 shkurt, ndërsa Prokuroria ka hedhur poshtë pistën e bullizmit si shkakun kryesor të vetëflijimit.
Burime për BalkanWeb kanë bërë me dije se Prokuroria e Gjirokastrës ka rrëzuar pistën e bullizmit si dhe ka mohuar faktin që e reja të ketë lënë pas një letër lamtumire. Sipas prokurorisë, letra që është gjetur në sendet e Irsa Muçollarit i përket një detyre të lëndës së Anglishtes që e reja e ka shkruar kur ka qenë pjesë e sistemit 9-vjeçar të shkollimit.
Deri më tani në procesin e hetimeve janë të përfshirë mbi 30 persona, familjarë, të afërm, psikologë e nxënës të shkollës “Siri Shapllo” ku Irsa vijonte të studionte. Gjithashtu nga hetimet kanë dalë në dritë dhe disa frangmente nga orët mësimore në klasën e 17-vjeçares, ku raportohet se e reja mbante gjithmonë përpara në bankë telefonin e saj.
Sipas raportimeve, mësuesja i kishte kërkuar disa herë të hiqte telefonin, por është përballur me kundërshtime nga ana e 17-vjeçares, detaje këto që bien në kontraditë me natyrën e qetë të Irsa Muçollarit, siç është përshkruar ajo nga familjarët e saj.
Hetuesit janë në pritje të zbërthimit të celularit të 17-vjeçares për të hedhur më shumë dritë mbi arsyet e vërteta që çuan adoleshenten drejt vetëvrasjes.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





