Transmetuar më 27-02-2025, 18:46

Tiranë, 27 shkurt 2025 – Policia e Tiranës ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar të vrasjes së 24-vjeçares palestineze, Ryyan Alwan, në Tiranë. Autori i dyshuar është bashkëshorti i saj, 49-vjeçari Fadi Alwan, gjithashtu shtetas palestinez.

Sipas policisë, dyshohet se Fadi Alwan ka qëlluar disa herë me thikë bashkëshorten e tij në një apartament me qira në Tiranë, në rrugën “Gjon Muzaka”. Ngjarja, e cila besohet të ketë ndodhur disa ditë më parë, ka rezultuar me vdekjen e 24-vjeçares, ndërkohë që autori dyshohet se është larguar menjëherë nga territori shqiptar pas kryerjes së krimit.

Njoftimi i Policisë: Falë hetimeve të shpejta dhe profesionale të Sektorit për Krimet e Rënda, është identifikuar dhe shpallur në kërkim autori i vrasjes, shtetasi Fadi Alwan, 49 vjeç. Rreth orës 12:55, shërbimet e policisë morën njoftimin për gjetjen e trupit të pa jetë të viktimës në një apartament me qira në rrugën “Gjon Muzaka”. Hetimet fillestare zbuluan se viktima kishte plagë të shumta, të shkaktuara nga një mjet prerës, dhe dyshohet se këto plagë kanë çuar në vdekjen e saj.

Përmes analizimit të provave dhe hetimeve të detajuara, u konstatua se viktima ishte shtetasja Ryyan Alwan, 24 vjeçe, që jetonte me bashkëshortin e saj, Fadi Alwan, gjithashtu palestinez, në apartamentin ku ndodhi ngjarja.

Policia dyshon se pas krimit, autori ka braktisur Shqipërinë dhe është arratisur jashtë shtetit. Grupi hetimor vazhdon punën për të përcaktuar me saktësi kohën e vrasjes përmes ekspertizës mjekoligjore dhe analizës së provave të sekuestruara. Po ashtu, vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e autorit të shpallur në kërkim.

Materialet do t’i referohen Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit