

TIRANË – Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me asamblenë socialiste në njësinë 3 dhe 4 të kryeqytetit, ka komentuar për koncesionin e sterilizimit dhe shëndetësinë në Shqipëri. Ai e pranoi se ka ende probleme, por theksoi se janë ndërtuar 53 spitale dhe 400 qendra shëndetësore. Në lidhje me procesin e sterilizimit, Rama tha se është “sy e veshë” për të parë deri në fund rezultatet, duke shtuar se kur kjo qeveri ka ndërmarrë këtë iniciativë, Shqipëria ishte vendi me numrin më të lartë të infeksioneve spitalore në Evropë.
"A ka probleme shëndetësia? Patjetër që ka, por kemi ndërtuar 53 spitale dhe 400 qendra shëndetësore. Disa prej tyre janë ndërtuar nga themelet, disa janë rinovuar plotësisht," tha Rama, duke shtuar se, në të kaluarën, mund të shihje vetëm një infermier që pinte cigare dhe asnjë doktor. Sipas tij, tani çdo qendër shëndetësore ka mjekë, infermierë dhe pajisjet e nevojshme për shërbim të kujdesit parësor.
Rama më pas u ndal te koncesioni i sterilizimit, i cili ka shkaktuar shumë akuza për korrupsion. Ai tha se do të vazhdojë të monitorojë deri në fund procesin dhe se ishte shumë e rëndësishme të theksohej se, kur qeveria nisi këtë proces, Shqipëria kishte numrin më të lartë të infeksioneve spitalore në Evropë. Rama theksoi gjithashtu se, tani, materiali që përdoret në Shqipëri për operacione kirurgjikale është i njëjtë me atë që përdoret në vende të tjera si Gjermania, duke ndihmuar në uljen e infeksioneve dhe shkurtimin e kohës së qëndrimit në spital.
Ai përfundoi duke thënë se akuzat ndaj këtij procesi janë një temë tjetër dhe do të flasë për to më vonë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





