Transmetuar më 27-02-2025, 09:48

Tiranë, 27 shkurt 2025 – Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj kritikave dhe komentuesve në lidhje me qeverisjen e tij, duke theksuar disa nga ndryshimet e bëra në sektorët e ujit dhe energjisë elektrike gjatë mandatit të tij.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama kujtoi se kur morën pushtetin në vitin 2013, vetëm 4 zona të Shqipërisë kishin furnizim me ujë 24 orë, ndërkohë që sot ky numër ka shkuar në 43 zona urbane dhe 98 zona rurale.

"Në vitin 2025 ne flasim për shumë gjëra dhe nëse ty s’të pëlqen që flasim për ujin, po të kujtoj se kjo nuk është e lidhur me ne. Shqipëria ujë 24 orë në 2013 kur ne kemi marrë detyrën ka pasur vetëm 4 zona, sot ka në 43 zona urbane dhe 98 zona rurale. Edhe në kohën e komunizmit, Shqipëria nuk kishte ujë kudo," tha Rama.

Kryeministri gjithashtu komentoi situatën e energjisë elektrike para ardhjes së PS në pushtet, duke theksuar se gjysma e popullsisë vidhnin energjinë dhe kjo ndryshoi vetëm pas ardhjes së tij në pushtet.

"Të kujtohet kur morëm ne detyrën se si ecej nëpër Tiranë, më shumë prodhoheshin drita me naftë se me korrent. 50% e popullsisë vidhte energjinë elektrike dhe e dini ca ka rezultuar," shtoi Rama.

Ai gjithashtu përmendi reformat në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit, duke theksuar se ky proces ka qenë një përpjekje e madhe për të krijuar një shtet funksional.

"Budallenj të mëdhenj ne që hapim luftën kundër korrupsionit, bëjmë një reformë në drejtësi që s’ka guxuar askush, i japim shpatën në dorë, ia dorëzojmë drejtësisë që të godasë është në trupin tonë, jemi këtu për të bërë Shqipërinë shtet dhe jo për të kontrolluar drejtësinë," tha Rama.

Në fund, ai iu referua kritikëve si "hajdutë" dhe i quajti ata si një "pakicë" të larguar nga realiteti i përpjekjeve të tij dhe të PS-së për të bërë Shqipërinë një shtet të fortë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit