

Tiranë, 25 shkurt 2025- Policia e Shtetit ka dalë me një reagim zyrtar lidhur me ngjarjen e ndodhur një ditë më parë në kryeqytet, ku një efektiv policie mbeti i plagosur. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:30, në zonën e Freskut, ku efektivët e Policisë Rrugore i bënë shenjë ndalimi automjetit me drejtues shtetasin, Isnik Nokshiqi.
Sipas njoftimit të policisë, pas ndalimit të automjetit, 36-vjeçari ka shfaqur shenja nervozizmi dhe ka filluar të debatojë dhe të kundërshtojë me fjalë punonjësit e Policisë. Pas disa minutash, ai është larguar me shpejtësi duke aksidentuar punonjësin e Policisë së Qarkullimit Rrugor, shtetasin Altin Lami, dhe duke rrezikuar jetën e punonjësve të tjerë të Policisë.
Si pasojë e aksidentit, punonjësi i policisë, Altin Lami, ka mbetur i dëmtuar dhe është dërguar në spital për të marrë kujdesin e nevojshëm mjekësor. Ndërkohë, pas veprimeve të shpejta, Policia ka arrestuar shtetasin Isnik Nokshiqi, 36 vjeç, banues në Tiranë, i cili akuzohet për "Vrasjen e punonjësit të Policisë së Shtetit", mbetur në tentativë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Në vijim të informacionit paraprak të ditës së djeshme, për aksidentin e ndodhur në Fresk, ku për pasojë mbeti i dëmtuar 1 punonjës policie, ju bëjmë me dije:
Rreth orës 17:30, në zonën e Freskut, shërbimet e Komisariatit të Qarkullimit Rrugor, të cilët kanë qenë në shërbim, i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit me drejtues shtetasin I. N. (i cili u identifikua më pas).
Pas ndalimit të automjetit, drejtuesi ka shfaqur shenja nervozizmi dhe ka filluar të debatojë dhe të kundërshtojë me fjalë punonjësit e Policisë.
Drejtuesi i automjetit është larguar me shpejtësi me automjet duke aksidentuar punonjësin e Policisë së Qarkullimit Rrugor shtetasit A. L. dhe duke rrezikuar jetën e punonjësve të tjerë të Policisë.
Për pasojë është dëmtuar punonjësi i Policisë A. L., i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.
Në përfundim të veprimeve është arrestuar shtetasi I. N., 36 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Vrasja e punonjësit të Policisë së Shtetit”, mbetur në tentativë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





