Transmetuar më 26-02-2025, 09:57

Tiranë, 26 shkurt 2025 – Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj masave të sigurisë të lëshuara nga SPAK për stafin dhe pedagogët e Universitetit të Bujqësorit, duke komentuar se forcat speciale u dërguan në këtë institucion si të ishte një operacion në fshatin e Corleones, në Itali, ku zhvillohen aksionet anti-mafia.

Në një deklaratë të bërë gjatë një aktiviteti, Rama u shpreh se masat e marra, të cilat përfshijnë arrestimin e disa individëve dhe masa të tjera sigurie, dëmtojnë marrëveshjen që ishte arritur me Universitetin e Bujqësorit për një bashkëpunim më të ngushtë në fusha të ndryshme.

Rama tha: "Të marrësh 24 masa dhe ti japësh shqelmin një marrëveshje të bërë duke shkuar unë atje personalisht, si lyps në shkallët e Universitetit të Vjenës, ku më shihte rektori si UFO, 150-160 vjet Universitet dhe je i pari kryeministër që vjen këtu dhe nuk di çfarë kërkon."

Kryeministri theksoi se, për të arritur një drejtësi europiane, është e nevojshme të respektohen standardet demokratike, duke shtuar se nuk mund të tolerohet që njerëzit e pafajshëm të vuajnë për shkak të nevojës për të kapur fajtorët. Ai e krahasoi situatën me aksionet e Prokurorisë Antimafia në Itali, ku shpesh arrestohen shumë persona, por theksoi se kjo nuk është e justifikueshme në një universitet, një institucion edukativ.

Rama vijoi: "Po tani që Amerika ka dalë nga rreshti për arsyet e veta, kush është garanti për drejtësinë e re? Vetëm PS, askush tjetër. Ne nuk mund të themi ‘s’ka problem, le të torturohen njerëz të pafajshëm sepse na duhet të kapim të fajshmit’, sepse ka një postulatë. Më mirë 10 të fajshëm jashtë se 1 i pafajshëm në burg."

Në përfundim, Kryeministri theksoi nevojën për zhvillimin e një universiteti të nivelit ndërkombëtar në Shqipëri, duke bërë thirrje që të krijohet një institucion arsimor që tërheq studentë nga gjithë rajoni dhe të ofrojë mundësi për diploma austriake.

Rama shtoi: "Si i shpjegohet austriakëve që një forcë speciale futet në Universitet dhe merr 24 masa sigurie për paraburgim, arrest shtëpie dhe detyrim paraqitje, a thua se u fut në fshatin e Corleones? Këto janë masa që merr Prokuroria Antimafia në Itali, por jo në një Universitet."

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit