

Carlo Ancelotti është i kënaqur me rrugëtimin që po bën Real Madridi këtë sezon, pavarësisht kalendarit të ndeshjeve që ai e cilëson si "absurd dhe të papërballueshëm". Nëse skuadra e tij do të arrinte deri në fund të Champions League dhe Kupës së Mbretit, atëherë do të luante 72 ndeshje këtë sezon. Trajneri italian kujton se "kur luaja unë, një sezon kishte 30 ndeshje kampionati, ndërsa tani kemi luajtur 17 ndeshje në vetëm 52 ditë…"
"Lojtarët janë të lodhur, unë jam i lodhur, imagjinoj që edhe ju, – thotë Ancelotti duke iu drejtuar gazetarëve. – Nga ajo që shoh dhe dëgjoj, jeni të lodhur. Keni nevojë për pushim…, edhe ne kemi nevojë për pushim".
Sa i përket skuadrës, dje nuk është stërvitur Kylian Mbappé për një problem dentar, por do të jetë i pranishëm në “San Sebastian”, madje mund të luajë. Trajneri ka fjalë lavdëruese për francezin, duke thënë se "ka ardhur me përulësi dhe duke mbajtur një profil të ulët. Ka përmirësuar atmosferën në dhomën e zhveshjes dhe, për sa i përket egos, nuk ka ndryshuar absolutisht asgjë".
Gjithashtu, Ancelotti nuk kurseu një thumbim ndaj presidentit të La Liga-s, Javier Tebas, i cili e kishte quajtur Real Madridin një klub "qaraman" pas ankesave të fundit për gjykimin në Spanjë: "Tebas flet shumë për Realin, që kur jam këtu. Ka çështje më të rëndësishme si president, ai duhet të fokusohet më shumë për të zgjidhur problemet e futbollit spanjoll".
Një kritikë që nuk u prit mirë nga numri një i La Liga-s, i cili u kundërpërgjigj duke sulmuar "rrëfimin viktimizues dhe konspirativ që po përhapet nga drejtuesit e Real Madridit", klub për të cilin Tebas thotë se "ka qenë tifoz që fëmijë". "Kjo sjellje është kundër vlerave që kemi njohur gjithmonë, – shton ai, duke e përmbyllur me një mesazh për Ancelottin: – Carlo, është për të ardhur keq që po të përdorin për këtë, duke marrë parasysh përvojën që ke".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





