

Trajneri i Barcelonës, pas barazimit dramatik dhe me përmbysje 4-4 ndaj Atletico Madridit, në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Mbretit, e përmblodhi kështu atë që ndodhi mbrëmë në Monjutic: "Jam i trishtuar dhe i zhgënjyer për 10 minutat e fundit, sepse në pjesën më të madhe të ndeshjes ishim në nivelin më të lartë. Jam i kënaqur me 95% të gjërave".
E nisët keq dhe e mbyllët keq…
Duhet të punojmë për këtë. Bëmë një ndeshje të shkëlqyer, por pësuam katër gola dhe kaq janë vërtet shumë.
Çfarë mendoni se ndodhi në fund?
Vazhdoj të theksoj të njëjtën gjë. Është një ndeshje e Kupës dhe të gjitha ekipet e duan këtë kompeticion. Çdo ekip kërkon të gjejë zgjidhje dhe të bëjë gjëra ndryshe. Ne gjithashtu jemi të fortë në posedim, por Atletico Madridi ka një ekip fantastik. U mbrojtëm mirë për 75 minuta, pastaj gabuam. Goli i katërt që pësuam më duket i pabesueshëm. Duhet të flasim për këtë. Gjithsesi, më e rëndësishmja është se si luajtëm, besoj se tifozët e pëlqyen këtë. Për mua është shumë e rëndësishme të di që ekipi ka vetëbesim, sidomos duke qenë kaq i ri. Kjo më jep besim për të ardhmen. Jam i trishtuar dhe i zhgënjyer për 10 minutat e fundit, sepse për një moment ishim në nivelin më të lartë. Jam i kënaqur me 95% të gjërave, por jo me 5% tjetër. Prandaj, duhet të punojmë.
Si i shpjegoni pesë minutat e para, kur pësuat dy gola?
Mentaliteti dhe qëndrimi ynë pas atyre minutave ishte i mrekullueshëm, por duhet të punojmë mbi disa detaje të vogla. Luajtëm një futboll të shkëlqyer dhe krijuam shumë raste, pasi pësuam dy gola të shpejtë në fillim. Në fund i dhamë kundërshtarit shumë mundësi. Atletico Madridi është shumë i mirë në sulm, nuk mund t’i lejosh kaq shumë hapësira. Në pushim i paralajmërova lojtarët e mi se nuk mund ta lejonim këtë, por ndodhi.
Sa shpresa keni te kualifikimi në ndeshjen e kthimit?
Shpresoj të luajmë si ato 75-80 minuta ku dominuam sonte, këtë pres. Shpresoj të fitojmë, do t’i analizojmë golat këtë javë, por kemi një ekip shumë të ri, që është përmirësuar shumë këtë sezon. Pas pushimit gjithçka do të jetë e mundur. Mund të fitojmë.
Një mendim për top-lojtarin e ndeshjes, Pedrin…
Nuk mund ta përshkruash Pedrin, është i pabesueshëm, sot gjithashtu. Ai kënaqet kur luan dhe kjo ndihet në fushë. Paraqitjet e tij janë fantastike.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





