Transmetuar më 25-02-2025, 18:02

KLP reagon ashpër për serinë e sulmeve ndaj Prokurorëve të SPAK: “Po cenohet Integriteti i Drejtësisë”

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka shprehur shqetësimin për sulmet e vazhdueshme ndaj prokurorëve të SPAK, veçanërisht ndaj prokurorit Olsi Dado. Në një deklaratë zyrtare, KLP thekson se fushata e etiketimeve denigruese dhe përpjekjeve për presion dëmton besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë dhe minon proceset hetimore e gjyqësore.

Sipas KLP-së, këto sulme vijnë jo vetëm nga segmente të caktuara mediatike, por edhe nga persona të akuzuar ose të hetuar prej SPAK, përfshirë zyrtarë të lartë. Deklarata nënvizon se një gjyqësor i pavarur është themeli i shtetit të së drejtës dhe çdo ndërhyrje publike apo politike përbën një rrezik për demokracinë.

“Sulmet verbale dhe presioni ndaj prokurorëve janë një përpjekje për të cenuar integritetin e hetimeve dhe proceseve gjyqësore. KLP apelon për maturi dhe respekt ndaj institucioneve të drejtësisë, duke theksuar se çdo pretendim apo ankesë ndaj një prokurori duhet të trajtohet në përputhje me ligjin dhe jo përmes fushatave denigruese,” thuhet në deklaratë.

Në vijim, KLP ka shprehur mbështetje të plotë për prokurorin Olsi Dado dhe gjithë trupën e prokurorëve, duke i inkurajuar të vijojnë punën e tyre me profesionalizëm dhe paanshmëri. Po ashtu, KLP i ka bërë thirrje mediave të respektojnë standardet etike të raportimit, për të shmangur dezinformimin dhe ndikimin negativ në opinionin publik.

Deklarata përfundon me një mesazh të qartë: “Drejtësia duhet të funksionojë mbi bazën e fakteve dhe provave, jo nën ndikimin e presioneve politike apo publike.” /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit